Sondazhet kanë përfunduar, breshëri i spoteve elektorale dhe debatet e ashpra televizive bashkë me retorikat kanë marrë fund, gjithë Greqia ndodhet sot në heshtje zgjedhore dhe prej mesnatës ka filluar numërimi mbrapsht për zgjedhjet më të rëndësishme në historinë greke pas diktaturës së vitit 1974.

Liderët e dy partive rivale janë përqendruar në mitingjet e fundit elektorale tek grekët e pavendosur të cilët mund të bëjnë ndryshimin në rezultatin përfundimtar. Kryeministri Samaras ka rikujtuar edhe një herë paralajmërimet që vijnë nga huadhënësit për rrezikun e ditës së nesërme duke theksuar se megjithë masat e ashpra, ekonomia filloi të japë shenjat e para pozitive.

“Syriza po kërcënon të hedhë në erë të gjiitha sakrificat e popullit grek dhe të na çojë në një aksident që ne të gjithë duhet ta shmangim. “Aksidenti” Tsipras nuk duhet të ndodhë”, u shpreh Samaras.
 
Nga ana e tij, kreu i Syrizës, Aleksis Tsipras, ka ritheksuar se radikalët e majtë do të risjellin përsëri dinjitetin e Greqisë, do të rinegociojnë borxhin dhe reformat me huadhënësit e BE-së dhe FMN-së, duke u dhënë fund masave antipopullore.

“Nga e diela nuk do të flasin më në Greqi huadhënësit dhe përfaqësuesit e tyre. Të dielën flet populli grek dhe ai do të japë përgjigjen më të pastër. Dhe kjo përgjigje është fund memorandumit të ndihmës, fund nënshtrimit, fund shantazheve”, tha Tsipras.

Kreu i Eurogrupit Dajseblum, kancelarja Merkel dhe ministri gjerman i Financave Shcauble kanë sqaruar se cilado qeveri të dalë nga zgjedhjet do të duhet të zbatojë progamin e reformave, por nga ana tjetër ministri francez i Financave ka deklaruar se eurogrupi do të diskutojë të hënën nëse qeverisë së re greke ndoshta do të duhet t’i jepet kohë për rifillimin e negociatave.
 
Sipas statistikave më të fundit, Greqia shkon në këto zgjedhje kur borxhi i saj ka arritur në 321 miliardë euro duke u rritur me gati 55% nga fillimi i krizës, ndërsa PBB-ja ka rënë nga 236 miliardë euro në 180 miliardë brenda pesë vitesh.

Sondazhet e fundit i japin Syrizës mbi 6.7% diferencë nga konservatorët dhe 33.4% të votave, duke lënë ende të paqartë faktin nëse do të sigurojë të paktën 151 nga 300 vendet e Parlamentit. Për vendin e tretë luftojnë ashpër AA-ja, partia e re Lumi, socialistët e Pasokut dhe Komunistët grekë.

Me interes të jashtëzakonshëm ndjekin mediat e huaja këto zgjedhje dhe mbi 350 gazetarë të huaj ndodhen në Athinë dhe qytetet e tjera të vendit.

Rezulatet e para zyrtare do të bëhen të njohura rreth orës 9 e 30 të mbrëmjes së të dielës.

Top Channel