Hapet për publikun “Shtëpia e Gjetheve”, e përdorur nga ish-Sigurimi i Shtetit

24/01/2015 00:00

Për një gjysmë, shekulli godina në zemër të Tiranës që njihej si “Shtëpia e Gjetheve” është përdorur nga regjimi komunist si qendra më e madhe e përgjimeve në vend.

Mesditën e së shtunës, oborri i saj u hap për ta kthyer atë nga shtëpi të padukshme e plot mister, siç e cilësoi ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, në një muze të mirëfilltë në kuadër të hapjes për publikun të të tilla objekteve.

Nga tani e tutje kjo shtëpi do të njihet si “Muzeu i Përgjimeve”, unik në llojin e tij, theksoi Kumbaro. Ndërsa për shkrimtarin Bashkim Shehu, i cili është njëri prej atyre që punuan për hapjen e kësaj godine, ajo nuk duhet të përdoret për qëllime politike të ditës.

Në fjalën e saj ministrja Kumbaro bëri disa falenderime. Por falenderimin e harruar për njërin prej tyre, kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, nuk e harroi shefi i saj, kryeministri Rama, duke treguar kështu se pakënaqësitë e një pjese të mazhorancës ndaj Visho Ajazit i përkasin së shkuarës.

“U harrua një falenderim nga ministrja e Kulturës për drejtorin e sotëm të SHISH, zotin Visho Ajazi, të cilin unë e falenderoj për gatishmërinë dhe bashkëpunimin, sepse kjo godinë deri para se ne të hynim sot ka qenë një godinë që për inertësi ka vijuar të jetë pjesë e strukturës së shërbimit sekret shqiptar”, deklaroi Rama.

Në këtë godinë, tha Rama, ka pasur pajisje moderne dhe të sofistikuara për kohën, të blera në Perëndimin kapitalist me të cilin kjo godinë luftonte.

“Sot ne po bëjmë as më shumë e sa më pak, modestish, me çfarë kemi trashëguar në këtë pjesë të errët të trashëgimisë sonë, atë që Gjermania e ka bërë që në krye të herës, menjëherë pas shembjes së Murit. Një proces ballafaqimi të hapur, direkt dhe pa frikë me të shkuarën e vetë”, u shpreh Rama.

Sipas drejtuesve të Ministrisë së Kulturës, ambientet e brendsehme të Shtëpisë së Gjetheve, për momentin nuk mund të vizitohen, pasi ajo është pothuajse e degraduar. Por pak persona mundën të hyjnë brënda për të prekur misterin e saj. Të njëjtën dëshirë kishte edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin, por nuk u lejua.

Pas disa minuta pritje edhe ambasadori gjerman nuk u lejua, por vetëm ndërhyrja e këshilltarit të kryeministrit, Sandër Lleshi, i mundësoi atij hyrjen. Top-Channel e pyeti ambasadorin gjerman Helmut Hoffman për përshtypjen e parë pas kësaj vizite.

“Është diçka impresionuese. Unë jam i kënaqur dhe njëkohësisht mbështetës i iniciativave të qeverisë shqiptare, e cila po përpiqet t’i prezantojë qytetarëve  të tilla objekte. Jam shprehur se Shqipëria duhet të përballet me të shkuarën dhe kjo po ndodh, gjë për të cilën jam i kënaqur. Kur ti hyn në një ndërtësë të tillë është me të vërtetë tronditëse kur mendon për të kaluaren e kësaj godine”, u shpreh ambasadori.

Që prej ndërtimit të saj, këtë godinë e kanë shoqëruar një sërë eventesh. Në vitin 1939 ajo shërbente si klinikë mjekësore nga ku do të lindte djali i mbretit Zog, Princ Leka.

Më pas ajo do të përdorej si zyrë e gestapos, zyrë hetimi deri në vitin 1950 prej regjimit komunist dhe më pas zyra qëndrore e përgjimit për Sigurimin e Shtetit, nën emrin e koduar “Objekti Gjethi”.

Top Channel