Mungon financimi, ndërpritet ndërtimi i rrugës në Manëz

24/01/2015 00:00

Një investim për ndërtimin e infrastrukturës rrugore rurale në bashkinë
Manëz të Durrësit është ndërprerë në mes për shkak të mungesës së
financimit.

Ministria e Financave nuk ka ccelur fondet për likujdimin e punimeve të kryera dhe të pafinancuara, si dhe vazhdimin e punimeve të mbetura. Firma zbatuese e projektit për rikonstruksionin e rrugëve të fshatrave Shkallë dhe Kameras ka ndërprerë punimet, duke rrezikuar edhe dëmtimin e punimeve të kryera deri më tani.

Investimi prej 68,5 milionë lekësh për rikonstruksionin e rrugëve të fshatrave Shkallë dhe Kameras nisi në nëntor të vitit 2012 dhe duhej të përfundonte në gusht të vitit 2013, po situata politike në vend bllokoi dhe këtë investim të rëndësishëm për komunitetin e zonës.

Bashkia Manëz në mënyrë të vazhdueshme i është drejtuar Ministrisë së Financave dhe Fondit të Zhvillimit të Rajoneve për vazhdimësinë dhe likujdimin e fondeve në vlerën e rreth 35,1 milionë lekë që puna të vazhdojë dhe nvestimi të mbyllet.

Ndërsa në fshatin Kameras investimi është thuajse i mbyllur, ndërsa unaza e fshatit Shkallë nuk është realizuar me përjashtim të veprave të artit në të. Ndryshimet politike që sollën zgjedhjet e qershorit 2013 ndikuan edhe në ecurinë e shumë investimeve të cilat u lanë përgjysëm për shkak të moslikujdimit të firmave për punën e kryer dhe mosmbështetjen me fonde për vazhdimësinë e projekteve në infrastrukturë.

Top Channel