Cliff: “Trepça”, jo temë e dialogut me Serbinë

24/01/2015 00:00

Trepça nuk duhet të jetë temë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit,
ajo është e Kosovës. Kështu është shprehur në një ligjëratë për
studentët e një universiteti privat në Prishtinë, ambasadori britanik
Ian Cliff.

“Trepça e suksesshme mund të krijojë një mjedis ekonomik që mund të lulëzojë. Ajo që është në territorin e Kosovës është aset i Kosovës. Kjo nuk duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë, por duhet të zgjidhet brenda Kosovës. E di që nuk do të jetë e lehtë, por mendoj se kjo duhet të jetë mënyra më e mirë që të zgjidhet kjo çështje”, tha Cliff.

Ambasadori tha se në vitet 20-30 ka qenë një investim britanik, por se Britania e madhe nuk ka pretendime mbi këtë dhe se ekspertë të huaj tashmë po mundohen ta bëjnë Trepçën më të suksseshme dhe të nxjerrë sa më shumë metale.

Sipas tij, problemi qëndron në atë se ka nevojë për një pastrim mjedisor për ta ngritur në standarde evropiane. Ndërsa sipas tij kombinati nuk duhet të jetë më në duart e Agjencisë së Privatizimit. Ambasadori Cliff tha se ka shumë iluzione në lidhje me Trepçën dhe se i duhen së paku pesë deri në dhjetë vjet një kompanie që të krijojë një profil me standarde evropiane.

Top Channel