ISIS, ekzekutohet njëri prej pengjeve japoneze

24/01/2015 00:00

Është ekzekutuar me prerje koke një prej dy pengjeve japoneze në duart e ISIS. Lajmin e bën të ditur Site, faqja amerikane e internetit që monitoron xhihadistët në web.

Viktima është Haruna Yukawa. Site i referohet edhe një videoje ku pengu i dytë, Kenji Goto Jogo tregon pamjet e ekzekutimit dhe lutet për jetën e tij duke i paraqitur qeverisë së Tokios kërkesa të reja nga ISIS.

“Shikoni foton e shokut tim Haruna, i shtrirë në tokë i masakruar nga ISIS. Ju kishin paralajmëruar”, ka thënë gazetari Goto Jogo në videon që i referohet faqja amerikane.

Pengu i vrarë punonte për një kompani private ushtarake. Në video, që zgjat 2 minuta dhe 56 sekonda, Kenji Goto Jogo publikon kërkesën e re të pengmarrësve të tij: lirimin e Sajida al Rishawi, i cili ndodhet në një burg të Jordanisë.

Ndërkohë, qeveria japoneze ka nisur menjëherë një mbledhje të jashtëzakonshme ku po verifikon autenticitetin e videos.

Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë japoneze të lajmeve, të cilat citojnë kryeministrin Shinzo Abe që e ka cilësuar ekzekutimin një “akt të pafalshëm”.

Gjithashtu, kryeministri Abe ka kërkuar “lirimin e menjëhershëm” të pengut tjetër, gazetarit që tregon në video vdekjen e shokut të tij.

Top Channel