Spanjë, arrestohen 4 të dyshuar si xhihadistë

24/01/2015 00:00

Katër persona të dyshuar si anëtarë të një rrjeti militantësh islamikë janë arrestuar këtë të shtunë në territorin spanjoll Seuta, në kufi me Marokun.

Dy marokenë dhe dy spanjollë me prejardhje arabe u vunë në pranga gjatë bastisjeve të dy pronave të bëra nga policia marokene dhe ajo spanjolle.

Kjo e fundit deklaroi se personat ishin të përgatitur dhe synonin të kryenin një sulm terrorist në Spanjë.

Rreth 50 persona të dyshuar si xhihadistë janë arrestuar në Spanjë përgjatë vitit të kaluar, deklaroi Ministria e Brendshme e këtij vendi.

Ministri Jorge Fernandez Diaz tha se të arrestuarit e së shtunës ishin dy çifte vëllezërish që ishin jashtëzakonisht të radikalizuar dhe të stërvitur.

Një pistoletë, uniforma luftarake, hanxharë, targa të ndryshme, dokumente dhe pajisje elektronike u sekuestruan gjatë bastisjeve, saktësoi ministri.

Sipas zyrtarit të lartë, personat kishin një “profil të ngjashëm” me ata që kryen sulmet e fundit terroriste në Paris dhe ishin frymëzuar nga propaganda në internet e Shtetit Islamik.

Ministri i Brendshëm nuk foli për ndonjë lidhje mes këtyre arrestimeve dhe hetimeve në vazhdim mbi sulmet e mëhershme të këtij muaji në Paris dhe operacionit policor në Belgjikë, ku disa prej të dyshuarve kishin udhëtuar përmes Spanjës.

Top Channel