Ukrainë, rebelët në sulm për portin e Mariupolit

24/01/2015 00:00

Një nga liderët kryesorë të rebelëve në lindje të Ukrainës ka deklaruar se njësitë e tij kanë nisur një sulm ndaj forcave qeveritare që mbajnë nën kontroll portin e Mariupolit.

“Sot nisëm një ofensivë në Mariupol. Ky qytet mund të bëhet monumenti i vdekjes sonë”, ka deklaruar Alexander Zakharchenko teksa merrte pjesë në një ceremoni përkujtimore në Donetsk.

Komentet e tij vijnë pasi një seri sulmesh me mortaja lanë sipas mediave ukrainase 27 persona të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur.

Një zyrtar i policisë lokale saktësoi se raketat goditën një treg në një lagje rezidenciale në pjesën lindore të Mariupolit.

Mariupoli ka një popullësi prej 500 mijë banorësh dhe ka një pozicion mjaft strategjik, pasi ndodhet mes zonave lindore të kontrolluara nga rebelët dhe gadishullit të Krimesë, që u aneksua nga Rusia marsin e kaluar.

Më herët, një zëdhënës i rebelëve mohoi përfshirjen e tyre në këtë sulm. Ndërkohë, pamje filmike ende të pa verifikuara tregojnë një numër makinash, shtëpish dhe pallatesh të jenë goditur dhe përfshirë nga flakët.

Korrespondenti i BBC deklaron se sulmi erdhi nga një raketahedhës i shumëfishtë, që qëllon njëkohësisht një numër të madh raketash që arrijnë një perimetër të caktuar.

Ndërkohë, kryeministri ukrainas, Arseniy Yatsenyuk ka bërë thirrje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të diskutuar atë që ai e cilëson “rolin e Rusisë” në konfliktin në lindje të Ukrainës.

“Rusia jo vetëm që po shkel marrëveshjen e Minskut, por po shkel edhe parimet themelore të ligjit ndërkombëtar dhe humanizmit”, deklaroi Yatsenyuk.

“Ata nuk po ndalen para asgjëje. Raketat kanë goditur edhe një dyqan fëmijësh”, theksoi ai në një takim të mbajtur në Kiev për të diskutuar situatën në Mariupol.

Që prej muajit prill mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën në konfliktin e armatosur në lindje të Ukrainës.

Top Channel