Cani inspekton investimet në Bulqizë

24/01/2015 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Myfit Duriçi ka inspektuar këtë të shtunë punimet e rikonstruksionit të shkolles 9-vjeçare “Xhevded Doda”, në këtë qytezë.

Bëhet fjalë për një investim të qeverisë shqiptare që kap vlerën e 520 milionë lekëve të vjetra. Shkolla 9-vjeçare “Xhevded Doda” ka një kapacitet prej 750 nxënës me 33 klasa.

Në këtë projekt janë përfshirë për t’u ndërtuar palestra, fushë futbolli, dhoma sanitare për femra dhe rrethimi komplet i kësaj kompleksit.

Gjatë inspektimeve, ministri Cani tha se ky investim do të përfundojë së shpejti dhe se nxënësit e kësaj shkolle do të jenë në kushte komode pas rikonstruksionit.

Nga ana tjetër, ai shtoi se Bulqiza do të përfshihet nga një seri investimesh si fasadat e qytetit, ndërtimi i një pallati për banesa sociale, etj.

Ndër të tjera Cani theksoi se qyteza do të jetë në qendër të vëmendjes nga qeveria, gjë që u premtua edhe në një vizitë të një muaji më parë të kryeministrit Rama.

Top Channel