Mustafa: Jabllanoviç nuk është problemi kryesor i Kosovës

24/01/2015 00:00

Aleksandar Jabllanoviç nuk është problemi më i madh i Kosovës. Kështu ka zgjedhur t’i pergjigjet protestave kryeministri Isa Mustafa, nga qyteti i Pejës ku ndodhej për të festuar 25-vjetorin e themelimit të LDK-së.

Kreu i qeverisë së re po përballet me një numër të madh protestash dhe grevash, në një kohë kur ka kaluar vetëm një muaj nga ardhja në këtë post.

“Konsideroj që ministri Jabllanoviç nuk është problemi më i madh i Kosovës dhe nuk është çështja ku ne duhet fokusojmë të gjitha energjitë tona politike. Ato do t’i përkushtojmë në rritjen e punësimit dhe në investimet nga jashtë që vijnë në shtetin ligjor”, deklaroi Mustafa.

“Protestat janë çështje e të drejtës së qytetarëve, e reagimit qytetar. Unë konsideroj se ato do t’i zgjidhim sipas programit qeveritar që kemi. Kam besim të plotë në përbërjen e qeverisë dhe në përkushtimin e saj dhe institucioneve të tjera, mirëpo ne do t’i dëgjojmë të gjitha zërat që vijnë nga qytetarët tanë për përmirësimin e qeverisjes, për të zgjidhur çështjet aktuale me të përballemi. Çështjet e tjera mbeten çështje politike”, u shpreh Mustafa.

Teksa mijëra protestues i kërkonin të largonte ministrin serb, Mustafa në Pejë vizitonte Poliklinikën Stomatologjike. Në Prishtinë nuk ndodhej këtë të shtunë as zëvëndëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, i cili gjendet në Arabinë Saudite me rastin e vdekjes së mbretit Abullah.

Top Channel