Dhuna në protestë, gurë Kryeministrisë dhe policisë

24/01/2015 00:00

Ndërtesa e qeverisë së Kosovës ka pësuar dëme materiale në fund të protestës anti-Jabllanoviç që u zhvillua këtë të shtunë në Prishtinë.

Menjëherë pas mbarimit të fjalimeve nga organizatorët, shumica e turmës së qytetarëve u shpërnda e qetë, por një grup të rinjsh qëndroi para selisë së qeverisë dhe vazhdoi të hidhte gurë në xhamat e dritareve në pjesën e shkallëve të godinës.

U desh ndërhyrja e policisë me gaz lotësjellës për t’i larguar ata. Si pasojë e përplasjes me këta të rinj, 19 policë mbetën të lënduar, njoftoi Policia e Kosovë, ndërsa disa protestues morën lëndime të lehta. Gurët e protestuesve bënë dëme deri në katin e pestë të objektit qeveritar.

Pasi turma e madhe u largua nga sheshi, policia ndërhyri sërish me gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm në sheshet e qytetit.

Gjatë përleshjes pësoi dëme materiale një lokal, stafi i të cilit u ndesh me protestuesit të cilët donin t’ë merrnin karriket për të goditur policinë.

Atje mbetën të lënduar pronari dhe një kamarier. Policia e Kosovës i largoi protestuesit e dhunshëm deri tek sheshi Zahir Pajaziti, ku dhe ata u shpërndanë nëpër rrugë të ndryshme.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë përmes telefonit për Top Channel se policia ka arrestuar rreth 22 protestues. Lëvizja Vetëvendosje, si organizatore e tubimit, është distancuar nga ngjarjet që ndodhën në fund të protestës.

“Ato që kanë ndodhur jashtë marshit dhe skenarit për të cilin ishim dakorduar nuk janë pjesë e protestës. Një grup i vogël njerëzish në protestë nuk e kanë respektuar skenarin tonë dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat nuk pajtohemi. Po ashtu dënojmë ashpër dëmtimin e lokaleve private në shesh. Duam të theksojmë se dy protestuesit e arrestuar nga Policia e Kosovës nuk janë aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në një deklaratë.

Edhe presidentja e vendit Atifete Jahajaga i dënoi ashpër aktet vandale, siç i quajti ajo në një postim, të një grupi të vogël protestuesish ndaj pronës publike dhe private të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Top Channel