PD: Një i inkriminuar në task forcën e energjisë. Reagon OSHEE

24/01/2015 00:00

Partia Demokratike denoncoi një tjetër rast që sipas saj dëshmon shkallën e lartë të inkriminimit të administratës publike.

Deputeti Alban Zeneli solli rastin e një personi të punësuar në task forcën për energjinë elektrike, i cili sipas tij është dënuar për shitje droge.

“Florian Qafa është një emër i njohur për policinë dhe kronikën e zezë. Ai është ndaluar disa herë dhe dënuar për trafik lëndësh narkotike, pasi ka kryesuar një grup kriminal droge në zonën e Ali Demit, që shpërndante drogë edhe në shkolla.

Kemi vendimin e gjykatës që permend dënimet e tij, kemi një numër të madh shkrimesh që janë bërë në media për arrestimin e tij dhe për aktivitetin e tij kriminal.

Me Edi Ramën erdhi koha që ky person të shpërblehet për angazhimin e tij dhe sot është pjesë e task-forcës së OSHEE në Tiranë. Pra, në krye të aksionit të ndëshkimit të qytetarëve të pamundur dhe favorizimit të hajdutëve të mëdhenj të energjisë që janë sot pranë qeverisë.

Personi me preçedent penalë ka dhe një meritë tjerë për postin që ka marrë. Ai është angazhuar në fushatën e fundit zgjedhore, pranë shtabit të deputetit socialist Ditmir Bushati, që sot është dhe ministër i Jashtëm”, deklaroi Zeneli.

Reagon OSHEE: Qafa i punësuar në kohën e PD

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në një reagim të tij ka sqaruar se, shtetasi Florjan Qafa ka qenë në marrëdhënie pune sipas proçedurave ligjore prej datës 28 dhjetor 2013, në pozicionin elektricist, pranë sektorit të arkëtimeve.

Sipas një njoftimi për shtyp, ai rezulton i larguar nga puna më datë 15 janar 2015, me motivacionin “thyerje të disiplinës në punë, duke mos u paraqitur në vendin e punës, pa shkaqe të arsyeshme dhe pa vënë në dijeni eprorin e drejtëpërdrejtë”.

Në deklaratën për shtyp, OSHEE ironizon duke thënë se, falenderon Partinë Demokratike që vazhdimisht i bën me dije opinionit publik masat që operatori ndërmerr ndaj punonjësve që thyejnë disiplinën në punë apo nuk kanë performancën e kërkuar.

Top Channel