SHBA, mbështetje sauditëve. Obama, takim me mbretin e ri

24/01/2015 00:00

Me zhvendosjen e fuqisë së Arabisë Saudite në duart e një monarku të ri, administrata Obama vlerësoi mbretin Salman dhe u shpreh qartë se mbretërisë nuk do t’i nënvlerësohet roli nga Uashingtoni.

Kjo është një lidhje e ndërsjellë mes vendeve, pasi prioriteti më i fundit i SHBA në atë rajon është lufta kundër Shtetit Islamik.

Arabia Saudite luan një rol kyç pasi sauditët kanë dërguar avionët e tyre për të bombarduar grupin në rajonet siriane, ku ajo ka fituar edhe ndikim më të gjerë. Gjithashtu, edhe shërbimet e inteligjencës saudite kanë një rol kryesor për informimin e SHBA-ve.

Nick Heras, një studiues i çështjes në Lindjen e Mesme u shpreh se ISIS mund të fitojë terren nëse gjen destabilitet politik në Arabi dhe madje mund ta shfrytëzojë kohën që do t’i duhet mbretit Salman për t’u përshtatur në favor të aksioneve të tyre terroriste.

Aq sa aleat, aq edhe kundërshtarë, pasi Amerika dhe Arabia janë dy nga furnizuesit më të mëdhenj të botës me naftë. Pas vdekjes së mbretit Abdullah u përfol për një rritje të çmimit të arit të zi në Arabinë Saudite, mirëpo princi i hodhi poshtë zërat se një fuçi nafte mund të arrijë në 100 dollarë për fuçi.

Arabia ka 90% të të ardhurave nga shitja e arit të zi. Mbreti i ri i Arabisë Saudite pritet të vazhdojë te mbajë të njëjtën politikë për prodhimin e qëndrueshëm të naftës, me qëllim ruajtjen e tregut të saj.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë bëri ditur se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama do të udhëtojë për në Arabinë Saudite më 27 janar, ku do të takohet me monarkun e ri, mbretin Salman. Takimi do të zhvillohet pas një shkëputjeje që Obama do të bëjë gjatë një turi të vendosur më herët për në Indi.

Top Channel