Superiore, Tirana e nis me fitore fazën e tretë

24/01/2015 00:00

Kategoria Superiore është rikthyer me javën e parë të fazës së tretë të kampionatit kombëtar. Ndeshja hapëse e kësaj faze ka qenë ajo mes Tiranës dhe Apolonisë, ku kryeqytetasit fituan me rezultatin 2-0.

Ndeshja, e zhvilluar në Durrës për shkak të punimeve në “Qemal Stafa” dhe “Selman Stërmasi”, kishte një ritëm të kënaqshëm për kryeqytetasit, të cilët ishin gjatë gjithë kohës në dominimin e takimit.

Goli erdhi nga lojtari i stolit, Ndikumana, i cili u aktivizua si zëvendësues i Hyshmerit në pjesën e parë. Në të dytën ishte sërish Ndikumana që dyfishoi, duke i dhënë këtë fitore të parë kryeqytetasve.

Edhe Kukësi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në “Loro Boriçi” kundër Vllaznisë, me rezultatin 1-2. Kuksianët kaluan shumë shpejt në avantazh me Pejiç, i cili përfitoi nga gabimi i Sykajt.

Në pjesën e dytë, Lushtaku shënoi golin e dytë për skuadrën verilindore, ndërkohë që pak minuta më vonë gjyqtari akordoi një 11-metërsh për Vllazninë.

Shtubina mori përsipër penalltinë, por iu kundërpërgjigj shumë mirë Halilaj. Në minutën e 65, talenti i ri shkodran Kalaja shënoi një gol shumë të bukur, por rezultoi i vetmi për vendasit. Me këtë fitore Kukësi mbetet ende në vendin e parë, pas javës së 19, në kuotën e 41 pikëve.

Në Vlorë, Flamurtari fitoi ndaj Teutës me rezultatin 2-1. Veç terrenit të rënduar, skuadrat luajtën me një ritëm të ulët dhe krijuan pak raste.

Në minutën e 4-t Telushi mori përsipër një goditje nga distanca, e cila nuk u ndal si duhet nga Rizvani dhe Abilaliaj, nga shumë pranë, e shtyu topin në rrjetë, duke shënuar golin e avantazhit për vlonjatët. Teuta rriti nivelin e lojës së saj dhe tentoi të kundërpërgjigjej.

Në minutën e 25 ishte Çota, që përfitoi nga një dalje jo e mirë e Likës, për të barazpeshuar gjtihçka në 1-1. Me këto shifra dhe me një lojë që u përqendrua më së shumti në mesfushë kaluan minutat, deri kur po afrohej fundi i takimit.

Në 10 minutat e fundit, skuadra durrsake ishte inekzistente në fushën e lojës, duke ia bërë shumë të lehtë fitoren Flamurtarit, të siguruar me golin e Shehajt, madje duke ngritur shumë dyshime për tolerim të këtij goli.

Top Channel