SHBA, alarm për bombë në dy avionë pasagjerësh, rezulton fals

25/01/2015 00:00

Dy avionë pasagjerësh janë shoqëruar prej avionëve luftarakë “F-16” në Aeroportin ndërkombëtar “Hartsfield-Jackson” të Atlantas gjatë së shtunës, pasi u mor një kërcënim për bombë nëpërmjet Twitterit, i cili u konsiderua i besueshëm, sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë.

Fluturimi 2492 i “Southwest Airlines” dhe fluturimi 1156 i “Delta” u ulën nën siguri të plotë në aeroportin në fjalë, ku dhe nisën kërkimet nga njësitë speciale për bomba, bëjnë të ditur zyrtarë të agjencive të udhëtimit. E megjithatë asgjë e pazakontë nuk u gjet, thanë ata.

Një prej pistave u mbyll përkohësisht, duke shkaktuar vonesa për fluturime të tjera, ndërkohë që pasagjerët e të dy fluturimeve u morën në pyetje, kurse bagazhet e tyre u kontrolluan një për një nga qentë antieksploziv, thanë zyrtarët.

Zëdhënësi i “Delta”-s, Morgan Durant, tha se “ishte një fluturim i zakonshë nga Portlandi drejt Atlantas. Delta mbështet tërësisht procesin gjithëpërfshirës të zhvilluar nga autoritetet e sigurisë”. Ndërkohë, fluturimi i dytë ishte nisur nga Milëaukee, Wisconsin.

Avionët luftarakë “F-16” u nisën nga baza e përbashkët e Gardës Kombëtare “McEntire”, në Karolinën e Jugut, si dhe u rikthyen menjëherë atje pasi avionët e pasagjerëve u ulën për t’u kontrolluar.

“Siç e shihni, ishte një përgjigje tepër e ashpër”, tha korrespondentja e CNN për Aviacionin, Rene Marsh, e cila shtoi se “për shkak të kërcënimeve terroriste të përhapura gjerësisht nëpër botë, askush nuk kërkon të marrë përsipër rreziqe”.

Operacionet normale rinisën menjëherë në Aeroportin e Atlantas, pasi përfundoi kontrolli, gjatë të cilit nuk u vërtetua asnjë kërcënim për bombë.

Top Channel