Obama, vizitë treditore në Indi. Modi shkel protokollin, e pret me përqafime

25/01/2015 00:00

Duke theksuar vendosmërinë e tij për t’i ngritur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në një nivel edhe më të lartë, kryeministri indian Narendra Modi theu protokollin për t’u takuar e përqafuar me Presidentin amerikan Barack Obama, teksa ky i fundit ka zbritur në Nju Delhi gjatë së dielës për një vizitë treditore.

Vizita e kreut të Shtëpisë së Bardhë përbën një përpjekje të re për ta bërë Indinë një partnere të qëndrueshme strategjike, si dhe për të ushqyer miqësinë me një kryeministër, i cili vetëm një vit më parë ishte person “non grata” në Uashington.

Edhe përpara takimit të parë zyrtar mes dy liderëve, mediat indiane kishin raportuar se negociatorët kishin hasur probleme në arritjen e një marrëveshjeje për tregtinë bërthamore për qëllime civile. Një kanal televiziv bëri të ditur se të dyja palët kishin sheshuar dallimet mes tyre mbi përgjegjësinë e furnizuesve, nëse do të ndodhte ndonjë aksident bërthamor, apo për ndjekjen e matërialeve të furnizuara.

Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte mbi këto raporte, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë tha vetëm se “shpresojmë në arritjen e një rezultati pozitiv në fund të ditës”.

Obama do të bëhet Presidenti i parë amerikan që ndjek paradën e zhvilluar në “Ditën e Republikës” së Indisë, një shfaqje ushtarake që për një kohë të gjatë lidhej me antiamerikanizmin e Luftës së Ftohtë, ndërsa më vonë do të marrë pjesë edhe në një program radiofonik së bashku me Modin.

Prezenca e tij në paradën e së hënës, me ftesë të Modit, është shënon rigjallërimin më të fundit mes marrëdhënieve herë-herë tepër të vakëta mes dy demokracive më të mëdha, që vetëm një vit më parë ishte në prag të copëtimit.

“Është një nder i madh. Jemi mirënjohës për këtë mikpritje të jashtëzakonshme”, tha Obama gjatë mirëpritjes formale në Pallatin Presidencial, ku pati një pritje me roje nderi, me 21 të shtëna armësh dhe me qentë e sigurisë që ishin në vijën e parë, deri sa përfundoi ceremonia.

Modi përshëndeti Obamën dhe gruan e tij, Michelle, në pistën e aeroportit, teksa ata zbrisnin nga “Air Force One”. E pasi u përqafuan me ngrohtësi, një veprim ky që – sipas protokollit kryeministri indian nuk i përshëndet udhëheqësit e huaj në mbërritje, por vetëm pasi shkojnë në Pallatin Presidencial, – duket se është bërë qëllimisht nga Modi duke surprizuar edhe vetë mbështetësit e tij.

Pas pritjes që iu bë në Pallat, Obama vendosi një kurorë në “Raj Ghat”, një memorial për Mahatma Gandhi, i cili njihet si babai i Indisë së pavarur. Rrugët e Nju Delhit ishin të gjitha të pushtuara nga kordonë policie dhe ushtarësh, pjesë e një plani koreografik të sigurisë së lartë për këtë vizitë.

Rreth 40 mijë personel sigurie janë thirrur në detyre për të ruajtur mbarëvajtjen e kësaj vizite, ndërsa 15 mijë kamera mbikëqyrëse janë instaluar në kryeqytet, sipas raportime në media. Dy palët kanë punuar me kohë për të arritur marrëveshje mbi ndryshimet klimatike, taksat dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, e tashmë pritet vetëm nënshkrimi i tyre.

Top Channel