Japonia dënon ekzekutimin e ISIS, kërkon lirimin e pengut të dytë

25/01/2015 00:00

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka reaguar të dielën duke e quajtur ekzekutimin e pengut japonez nga militantët e Shtetit Islamik si një veprim “i egër e mizor”, ndërsa ka kërkuar sërish nga grupi të lirojë pengun e dytë me kombësi japoneze, të cilin e mbajnë ende dhe fati i të cilit ende nuk dihet.

Abe, duke folur për rrjetin televiziv NHK, tha se mundësitë janë tepër të mëdha që regjistrimi dhe imazhet e asaj çfarë shfaqet në videon që presupozohet të jetë e ekzekutimit të Haruna Yukawas, e që u publikua të shtunën, të jenë autentike.

Lideri japonez bëri thirrje për lëshimin e menjëhershëm të pengut tjetër japonez, një korrespondent veteran i luftrave, Kenji Goto, duke shtuar se shpëtimi i jetës së tij është një nga prioritetet kyç të qeverisë. Por, ai theksoi se Japonia nuk do të dorëzohet ndaj terrorizmit.

“Një akt i tillë terrorizmi është i egër, mizor dhe i palejueshëm, i cili nuk ka shkaktuar asgjë tjetër tek unë, veçse një indinjatë të thellë”, tha Abe. “Sërish kërkoj me forcë që Kenji Goto të mos cënohet dhe të lirohet urgjentisht”.

Përshkallëzimi i krizës së pengjeve është bërë edhe një test për Aben, i cili mori pushtetin në vitin 2012 duke u angazhuar se do të forconte rolin e Japonisë në sigurinë globale. Të martën, militantët e Shtetit Islamik publikuan një video ku shfaqeshin Goto dhe Yukawa, të ulur në gjunjë dhe nën kërcënimin e një militanti të maskuar dhe me një thikë në duar, i cili kërkonte 200 milionë dollarë shpërblim për lirimin e tyre. Afati prej 72 orësh për këtë pagesë skadoi të premten.

Top Channel