Durrës, arrestohet shoferi i autobusit, trafikoi ilegalisht dy sirianë

25/01/2015 00:00

Dy shtetas sirianë, të futur ilegalisht në Shqipëri, janë kapur nga policia e Durrësit, e cila ka arrestuar edhe shoferin shqiptar të autobusit të linjës Athinë-Tiranë, që ka transportuar sirianët.

Natën e kaluar, Sektori për Trafiqet e Paligjshme në Durrës arrestoi 48-vjeçarin Agron Karanxha, banues në Tiranë. Karanxha akuzohet se, si shofer autobusi, i ka transportuar dy shtetasit sirianë nga Athina në Shqipëri, kundrejt shumës prej 500 eurosh për secilin person.

Dy klandestinët kanë hyrë në vendin tonë përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, të fshehur në autobusin e linjës. Ndaj Karanxhës është ngritur akuza e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, ndërsa Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës njofton se po heton mbi një linjë trafiku të klandestinëve nga Athina për në Mal të Zi.

Të përfshirë në këtë linjë trafiku dyshohen të jenë shtetas grekë, shqiptarë dhe malazezë.

Top Channel