Vota e grekëve, mesazh për Europën. Fitorja e Tsipras do trondisë eurozonën dhe BE-në

25/01/2015 00:00

Me votën e tyre sot, grekët nuk do të zgjedhin vetëm qeverinë e re, që do të drejtojë vendin, por do t’i dërgojnë edhe një mesazh të qartë të gjithë kastës politike të Greqisë, si dhe Europës.

Nëse sondazhet janë të sakta, atëherë fqinji ynë është në prag të zgjedhjes së partisë së parë në Eurozonë, që kundërshton masat antikrizë. Po të ndodhë kjo, e ardhmja e Greqisë edhe një herë do të jetë e pasigurt.

Ndërsa për Europën, këto zgjedhje do të jenë dita e gjykimit, mbi mënyrën se si e ka menaxhuar krizën e saj financiare dhe ekonomike.

Athina ka marrë hua 240 miliardë euro nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një ndihmë megjithatë, që nuk e ndihmoi ekonominë t’i shpëtonte tkurrjes me 25%, nivel ky i paprecedent për kohët moderne.

Në këtë situatë, avantazhi i madh i radikalëve të majtë të “Syriza”-s në sondazhe nuk është rastësi. Mbështetja për të në popull është e madhe, pasi grekëve u ka ardhur në majë të hundës nga kursimet prej disa vitesh.

Theodoros Paraskevopoulos është një nga themeluesit e “Syriza”-s dhe sot është këshilltar për Çështje Ekonomike i Alexis Tsipras. Ai e kupton tërbimin e bashkëkombasve të tij: “Njerëzve u merren të ardhura, pa një shpresë për kohë më të mira. Nuk mund ta nxjerrësh nga kriza një vend me një program të rreptë kursimesh, këtë ta thotë çdo shkollë ekonomie”, shprehet ai. “Ajo që kjo forcë politike premton është një shndërrim radikal i vendit, një pushim për të marrë frymë. Borxhet gjithsesi nuk i paguajmë dot, thjesht sepse janë shumë të mëdha”.

Mali i borxheve është në nivelin 180% të rendimentit vjetor ekonomik. Në vend të kësaj, Syriza kërkon një program të shpejtë për rigjallërimin e ekonomisë.  Zotohet për rritjen e pagës minimale nga 560 në të paktën 700 euro. Sipërmarrjeve të vogla do t’u zgjatet koha kur t’i kthejnë borxhet dhe bankat do të shtetëzohen.

Por sa realiste janë premtime të tilla? Programi i rritjes ekonomike i “Syriza”-s do të financohet para së gjithash me taksa më të larta. Mjaft sipërmarrës grekë, plane të tilla i shohin me dyshim. Por, një shoqëri që vuan prej kohësh, me papunësinë në 26%, ndërsa gati 50% e të papunëve janë të rinj, duket e gatshme të besojë e të pranojë një alternativë shpresëdhënëse, pa u menduar fort gjatë.

Në fund të fundit, zgjedhjet e përgjithshme të Greqisë sot, duket se do t’i vendosin ata që nuk shohin rrugëdalje nga situata e tanishme, edhe pse nga ana tjetër, pak oreks ka për të dalë nga eurozona, klubi i monedhës së përbashkët europiane.

Top Channel