Kandidatët shqiptarë në Greqi, të drejtë vote rreth 100 mijë homogjenë dhe emigrantë

25/01/2015 00:00

Katër prej kandidatëve me origjinë shqiptare, që kandidojnë në zgjedhjet parlamentare greke, kanë kërkuar sërish mbështetjen e komunitetit shqiptar dhe atij minoritar me të drejtë vote.

Të shpërndarë në një territor të gjerë në të gjithë vendin, votuesit me origjinë shqiptare konsiderohen të rëndësishëm në qendrat kryesore të vendit, Athinë dhe Selanik, ndaj dhe kryesisht partitë e majta greke kanë vendosur në listat e tyre kandidatë me prejardhje nga Shqipëria.

Prej këtyre, partitë politike pretendojnë afërsisht 30-35 mijë vota vetëm për Prefekturën e Atikës dhe 10-12 vota në Selanik, çka llogaritet si një forcë e rëndësishme elektorale për grupimet politike të qendrës së majtë.

Duket se këto vota do të kenë peshë për partinë e Jorgos Papandreut, ku sipas sondazheve duhen vetëm pak vota që ky grupim politik të hyjë në Parlament. Për këtë arsyre, Papandreu ka shtuar kontaktet me komunitetin shqiptar që jeton në Greqi.

Në Selanik, Eleonora Zoto kandidon për “Syriza”-n, në Atikë kandidojnë Pirro Dhima dhe Ina Panajoti për PASOK-un; ndërsa Jorgos Xhumakas, Pavlo Sota e Odisea Koraqidhi për “Kidhiso” të Jorgo Papandreut. Në Athinë, disa prej kandidatëve, nëpërmjet kameras së Top Channel kanë kërkuar mbështetjen e votuesve ende të pavendosur.

“Sot i gjithë populli grek voton, e bashkë me të edhe minoritarët. Votohet për ndryshimin, votohet për një ditë të re për Greqinë, që ndodhet në momente mjaft të vështira. Sot minoriteti voton edhe për përfaqësimin e tij këtu, pasi veç meje, votën e komunitetit e kërkojnë edhe kandidatë të tjerë me origjinë nga Shqipëria”, është shprehur Jorgos Xhumakas, kandidat për “Kidhiso” të Jorgo Papandreut.

“Sot është një ditë e shënuar, sepse do të votohet për një deputet nga komuniteti shqiptar këtu. Kërkoj votat tuaja për të pasur një përfaqësues, që të përcjellë shqetësimet e komunitetit për të drejtat tuaja”, tha Pavlos Sota, tjetër kandidat për partinë e Jorgo Papandreut.

Sipas të dhënave prej Ministrisë së Brendshme greke, në gjithë vendin janë rreth 100 mijë homogjenë dhe emigrantë shqiptarë me të drejtë vote.

Top Channel