Ekzekutimi i pengut japonez, Obama: SHBA janë më shumë se kurrë në krah të Japonisë

25/01/2015 00:00

Ekzekutimi i Haruna Yukawas e tërheq edhe më shumë Japoninë në luftën kundër ISIS, edhe pse – nga sa raportonte gazeta “Time” dy ditë më parë – një pjesë e zemërimit publik në vend fokusohej pikërisht te dy pengjet.

Njerëzit mendojnë se ata e vunë veten në rrezik, ndaj është problemi i tyre si dalin nga kjo situatë, jo i qeverisë e as i taksapaguesve, citohej të thoshtë Jeff Kingston, drejtues i Departamentit të Studimeve Aziatike në Universitetin e Tokios.

Të martën, ISIS tha se të dy pengjet do të vriteshin nëse Japonia nuk paguante 200 milionë dollarë brenda 72 orësh për jetët e tyre. Presidenti amerikan Obama i telefonoi kreut të ekzekutivit japonez për t’i ofruar ngushëllimet e tij e për ta garantuar se Shtetet e Bashkuara janë më shumë se kurrë në krah të Japonisë.

Nga sa pohuan zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, Obama ka përcjellë edhe solidaritetin e tij me popullin japonez. Ai shprehu vlerësim për kontributin e Japonisë, sa i takon asistencës humanitare në Lindjen e Mesme. Përpos kësaj, të dy liderët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin mbi një sërë çështjesh rajonale e globale.

Edhe pse e dënoi si “mizor” e “të pafalshëm” mesazhin e përcjellë nga militantët e Shtetit Islamik përmes këtij ekzekutimi, Abe deklaroi se qeveria e tij nuk ka për t’u dorëzuar përpara terrorizmit.

Top Channel