Basha fton qytetarët në protestë: Të fikim 5 minuta makinat

25/01/2015 00:00

Në orën 11 të paradites, Lulzim Basha është zakonisht në zyrë, në bashki ose parti, por të hënën nuk do të jetë. Të hënën ai do të jetë duke protestuar në bulevardin kryesor të Tiranës, me makinë të fikur kundër taksave të larta, që sipas opozitës e bëjnë Shqipërinë vendin me çmimin më të lartë të naftës në Europë.

Lulzim Basha i ftoi shqiptarët të bëhen pjesë e kësaj proteste jo për pushtetin, por për vete dhe mirëqenien e familjes së tyre: “Nesër, më 26 janar në orën 11.00, do të ndalojmë për 5 minuta makinat tona kudo ku jemi duke kundërshtuar skemën tiranike të qeverisë që shtrydh popullin deri në pikën e fundit. Përmes protestës do t’i tregojmë qeverisë se nuk mund të luajë si të dojë me fatet e njerëzve.”

Po pse nuk përfitojnë shqiptarët njësoj si europianët nga ulja drastike e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar? Lulzim Basha ka dy shpjegime. I pari është ekonomik: “Dy herë, në dy vitet e fundit, qeveria rriti taksën e qarkullimit. Mbi 60% e çmimit të naftës që paguajmë sot shkon në xhepat e qeverisë. Detyrohemi të paguajmë 1008 lekë taksat “Rama” në çdo litër karburant që blejmë. Kjo gijotinë në qafën e shqiptarëve me të ardhura 3 herë më të ulëta se mesatarja europiane është një krim që duhet ndalur.”

Shpjegimi i dytë pse çmimi i naftës në Shqipëri nuk ulet njësoj si në Europë dhe pse sipas Lulzim Bashës ekonomia po përkeqësohet është politik dhe ka në qendër kryeministrin Rama: “Sepse ky vend qeveriset nga një arrogant, cinik dhe rritës i pandalshëm taksash. Ky njeri ka vetëm axhendën e pushtetit personal e klikës së tij, axhendën e interesave të oligarkëve dhe botës kriminale që e rrethon.”

Protesta për çmimin e naftës nuk do të jetë e vetme. Për Partinë Demokratike koha e mbetur deri në 21 qershor nuk do të jetë vetëm sezon elektoral, por edhe sezon protestash antiqeveritare.
“Protesta e nesërme në oren 11.00 është vetëm hapja e një pranvere protestash të pandalshme, masive dhe popullore që s’kanë për ta lënë dyshen Rama-Meta të livadhisë sipas qejfit. Durimi ka një kufi. Nesër në orën 11.00 të fikim për 5 minuta makinat kudo ku jemi, të tregojmë dinjitetin e shqiptarit, forcën e shumicës për të mbrojtur familjen dhe vendin”, tha kreu i PD-së.

Top Channel