Tsipras: Në vend do të rikthehet demokracia. Samaras: Vota për të ardhmen

25/01/2015 00:00

“Sot populli grek ftohet që të përfundojë me vendosmëri këtë hap që ka mbetur për rikthimin e shpresës, të demokracisë dhe dinjitetit duke shmangur frikën.”

Këto ishin fjalët e para të liderit të Syrizës, Aleksis Tsipras, menjëherë pas votimit. Ai shtoi se tani “përgjegjësia bie mbi të gjithë ata që do të votojnë”.

“Dilema e garës elektorale është më e pastër se asnjëherë tjetër. Sot vendosim nëse nesër duam të na rikthehet Trojka e zotit Samaras duke na premtuar për më shumë reduktime pagash, pensionesh dhe rritje taksash; ose nëve vendi ynë do të pretendojë ndaj Bashkimit Europian ato që meriton: një jetë me dinjitet dhe tolerancë sociale. Jam shumë optimist se populli grek do të shkruajë historinë sot. Do të japë mesazhin që e ardhmja jonë në Europë nuk është një e ardhme e masave shtrënguese”, deklaroi Tsipras.

Ndërsa kryeministri Antonis Samaras, u shpreh: “Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë. Sot ne vendosim nëse do të shkojmë përpara me dinamizëm dhe besim apo nëse do të hyjmë në aventura. Në këto zgjedhje votojnë një numër qytetarësh të pavendosur. Janë ata që do të vendosin rezultatin. Jam optimist sepse besoj se askush nuk do të rrezikojë ecurinë europiane të vendit. Ne do të fitojmë!”

Evangelos Venizelos i PASOK-ut, theksoi: “Uroj që sot populli grek të bëjë një zgjedhje që do ta çojë drejt një të ardhmeje më të mirë.”

Top Channel