Greqi, fitojnë radikalët e majtë, marrëveshje për qeverinë me Grekët e Pavarur

26/01/2015 00:00

Mijëra grekë kanë vërshuar në rrugët e Athinës të dielën në mbrëmje për të festuar fitoren historike të Aleancës së Radikalëve të Majtë, e para parti e këtij spektri që do qeverisë në kontinentin europian.

Në një fjalim tepër entuziast me mesazhe edhe për Europën, lideri i Syrizës, Aleksis Tsipras, ka theksuar se ka marrë një mandat popullor për të përmbysur politikat e masave të ashpra.

“Greqia ka kthyer një kapitull. Greqia lë pas saj masat e ashpra katastrofike, frikën dhe autokracinë, një 5-vjeçar poshtërimi dhe dhimbjeje. Fitorja jonë është gjithashtu një fitore për gjithë popujt e Europës të cilët po luftojnë kundër masave shtrënguese që po shkatërrojnë të ardhmen tonë të përbashkët europiane. Sot u mundën Greqia e elitës dhe e oligarkëve”, tha Tsipras.

Radikalët e Majtë kanë përqendruar 36,34% të votave duke siguruar 149 vende në Parlament, dy më pak se shumica absolute, të ndjekur nga Demokracia e Re me 27,81% dhe 76 vende. Kryeministri Samaras, duke pranuar humbjen, ka telefonuar tek lideri i opozitës për t’i uruar fitoren.

“Populli grek foli dhe të gjithë respektojmë vendimin e tij. Po dorëzoj një vend që është anëtar i BE-së. Për të mirën e tij shpresoj se qeveria e ardhshme do të vazhdojë të mbajë atë që kemi arritur”, theksoi Samaras.

Forca e tretë politike në vend është përsëri AA me 6.28% të votave dhe 17 vende në Parlament. Më pas renditet partia Lumi me 6,05% dhe 17 vende, komunistët grekë me 5,47% dhe 15 vende, Greket e Pavarur me 4.75% dhe 13 vende dhe në fund si pasojë e përçarjes së tyre, socialistët e Pasokut me 4,68% dhe 13 vende.
          
Pas mesnatës është bërë e ditur se Radikalët e Majtë kanë zgjedhur edhe partnerët e tyre qeveritarë, Grekët e Pavarur, një parti e djathtë, me të cilët do të bashkëqeverisin duke pasur 162 vende në Parlament. Tsipras ka sqaruar se do të bisedojë me organet institucionale të BE-së për një zgjidhje jetike të çështjes greke.

Ai ka deklaruar se Trojka tashmë është diçka që i përket së kaluarës dhe se do të zbatojë një politikë sociale për popullin grek duke rritur pagën minimale duke ulur çmimet e energjisë për familjet e varfra, duke hequr taksën e pronës dhe duke anuluar masat për reduktimin e rrogave dhe pensioneve.

Përveç këtyre sfidave Tsipras pritet të gjejë përpara gjatë negociatave të vështira partnerët europianë dhe sidomos kancelaren Merkel, që kërkojnë prej tij zbatimin e reformave.
 
Në orët e ardhshme, pasi lideri i Syrizës të marrë mandatin nga presidenti Papulias për krijimin e qeverisë, zhvillohet edhe ceremonia e betimit të anëtarëve të saj si dhe të kryeministrit më të ri në historinë e Greqisë, Aleksis Tsipras.

Top Channel