“Kanali jeshil”, procedurë e re për lehtësira në zhdoganime

26/01/2015 00:00

26 janari, Dita Ndërkombëtare e Doganave e gjen doganën shqiptare me një
shërbim të ri në funksion të procedurave lehtësuese për bizneset.

‘Kanali jeshil’, procedurat e të cilit u demostruan në prezencë të kryeministrit Edi Rama, do të thotë  “përzgjedhje pa kontroll doganor” të zhdoganimit të mallrave me synimin e krijimit të lehtësive për operatorët ekonomikë të ligjshëm, me qëllim reduktimin e kostove.

Në sheshin e doganës Durrës, Rama ndoqi deri në fund këtë procedurë të re, ndërsa Elisa Spiropali, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Shqiptare, e quajti procedurën e “kanalit jeshil” vazhdimin e revolucionarizimit të doganës shqiptare.

“Kanali jeshil është një sistem i sofistikuar, moduli selektiviteti, të analizës së rriskut, i cili mundëson shmangien totale të kontrollit dokumentar dhe kontrollit fizik të mallrave dhe në këtë mënyrë konsiderohet, jo vetëm lehtësues për sa i perket praktikës doganore dhe shpërndarjes më të mirë të burimeve njerëzore nga ana e doganës, por konsiderohet edhe pse është lehtësues i tregtisë, një sistem më i mirë kontrolli për bizneset”, tha Rama.

Këtë risi të doganës shqiptare kryeministri Rama e quajti një tjetër  mënyrë për të shpërblyer bizneset e ndershme

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të vizionit tonë për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti dhe nga ana tjetër për t’i transformuar të gjitha pikat  e hyrjes dhe të daljes së mallrave në Shqipëria, jo në pika torturash dhe pengmarrjeje, por në pika të një funksionimi të shpejtë dhe të efektshëm të shërbimeve.10 minuta punë për të mbaruar punë pas një epoke, ku në letra minimum ishte 3 orë, por në realitet shkonte dhe tre ditë”, tha Rama.

Dogana shqiptare, sikurse ato europiane, përdorin tre kanale kur një kamion mbërrin në pikat doganore, atë të verdhë ku subjektet përzgjidhen për kontroll dokumentar, ai i kuq për kontroll kontroll fizik dhe jeshil përzgjedhje pa kontroll dokumentar apo fizik.

Top Channel