Sanksione të reja ndaj Moskës

26/01/2015 00:00

Presidenti Barack Obama dhe liderët europianë paralajmëruan një valë të re sanksionesh ndaj Moskës pas sulmit vdekjeprurës të separatistëve pro-rusë në qytetin-port të Mariupolit në Ukrainë.

Gjatë vizitës shtetërore në Indi, Obama u shpreh se do ta shtojë presionin ndaj Kremlinit, pohim ky i nxitur nga episodi i dhunshëm që kushtoi të paktën 30 jetë njerëzish. Mbi 80 të tjerë u plagosën kur raketat goditën një treg dhe godina banimi. Disa udhëheqës evropianë e kishin përmendur së fundmi mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj Moskës, por pas sulmit në Mariupol, ish-kryeministri polak Donald Tusk, aktualisht president i Këshillit Europian, shkroi në Twitter se “edhe një herë, zbutja inkurajon agresorin që të intensifikojë dhunën. Është koha t’i forcojmë përpjekjet politike mbështetur në fakte, jo iluzione”.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko u shpreh se bisedat në radio dhe telefon të interceptuara nga Kievi vërtetojnë se separatistët e mbështetur nga Rusia ishin përgjegjës për ngjarjen e rëndë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, bën me përgjegjësi nga ana tjetër forcat e Kievit për përshkallëzimin e luftimeve në Ukrainën lindore.

Sidoqoftë, përpjekjet diplomatike për fundin e dhunës vazhdojnë edhe pse nuk parashikohet ndonjë zgjidhje e shpejtë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet në një seancë të posaçme më vonë gjatë ditës për të diskutuar situatën në lindje të Ukrainës. Takimi u organizua nga Lituania, një anëtare jo e përhershme që mban aktualisht presidencën e radhës së Këshillit, por kërkesa ishte paraqitur nga Kievi zyrtar.

Top Channel