Haxhinasto në Kosovë, pritet nga ministri i Infrastrukturës

26/01/2015 00:00

Ministri i Transporteve të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto vizitoi të hënën Kosovën, ku u takua me homologun kosovar Lutfi Zharku, si dhe u prit nga kryeministri Isa Mustafa.

Gjatë takimit në Ministrinë e Infrastrukturës janë disktuar një sërë çështjesh të transportit mes dy vendeve. Ministri Haxhinasto bëri të ditur për Top Channel se do të fillojë puna për zgjerimin e rrugës dhe godinës së doganës së Morinës, përmes një investimi me vlerë 600 mijë dollarë.

 “Kemi miratuar një investim prej rreth 600 milionë lekë të vjetra, ose 600 mijë dollarë për të bërë zgjerimin e rrugës që shkon drejt doganës dhe për të shtuar pikat e kontrollit, që besoj se do të jetë për t’I dyfishuar ato, duke krijuar një lehtësi më të madhe për të gjithë udhëtarët, por edhe për operatorët e ndryshëm ekonomikë që kalojnë aty”, deklaroi Haxhinasto.

Haxhinasto tha se ka njoftuar ministrin Zharku se dikasteri i tij është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për dhënien me konçension të Rrugës së Kombit dhe se një gjë e tillë pritet të ndodhë brenda vitit.

Nga ana e tij, ministri kosovar Lutfi Zharku tha se Rruga e Kombit ishte ndër temat kryesore të takimit, pas paralajmërimeve për konçesionimin e pjesës shqiptare.

“Kur është fjala për infrastrukturën, natyrisht që biseduam për Rrugën e Kombit dhe jemi të interesuar të bashkëpunojmë apo të shohim mënyrën e menaxhimit dhe operimit në të, pas paralajmërimeve për konçesionimin e pjesës në anën shqiptare. Përpos kësaj, unë pata nderin dhe kënaqësinë ta njoftoj ministrin se jemi në fazën fillestare të vazhdimit të Rrugës së Kombit nga Prishtina në Gjilan, deri në Dheun e Bardhë dhe shpresojmë se do të kemi shumë shpejt rezultate konkrete”, tha Zharku.

I pyetur nëse edhe pjesa e Kosovës do të jepet me konçesion, Zharku tha se nuk është biseduar nëse do të jetë e njëjta kompani në të dyja anët, por kjo sipas tij është çështje proçeduriale. “Aktualisht nuk ka asnjë plan që të japim me konçesion pjesën autostradës në Kosovë”, tha Zharku.

Më tej Haxhinasto shprehu gatishmërinë e qeverisë së Shqipërisë për ndihmë në shfrytëzimin e porteve shqiptare nga bizneset e Kosovës.

“Për sa i takon porteve unë dua të përsëris se gatishmëria jonë është e plotë që të gjitha kapacitetet portuale të Shqipërisë të jenë në dispozicion të Kosovës. Aktualisht ne kemi kapacitete të pashfrytëzuara në portet tona, si në Shën Gjin, Durrës e të tjera dhe jemi duke punuar që konkurrenca mes porteve në Shqipëri të jetë sa më e lartë. Pra, të ulim nivelin e lartë të tarifave, të përmirësojmë shërbimet atje me qëllim që mos të ketë asnjë dallim midis shërbimeve që i ofrohen biznesit në Shqipëri dhe atij në Kosovë”, tha më tej Haxhinasto.

Në takim u bisedua edhe për një linjë hekurudhore mes dy vendeve, për të cilën të dy ministrat konfirmuan gatishmërinë e tyre, që bashkë të gjejnë mekanizma për financimin e këtij projekti.

Ndërsa sa i përket rivendosjes së linjës ajrore Prishtinë-Tiranë u tha se ajo është temë që duhet diskutuar sërish. Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, si një nga motorët e rajoni për t’u afruar edhe më shumë drejt Bashkimit Evropian.

I shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Prishtinë Qemal Minxhozi, ministri i Transporteve zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Isa Mustafa.

Top Channel