Rusia, ndërmjetës për paqen në Siri

26/01/2015 00:00

Qeveria ruse ka ftuar për bisedime në Moskë përfaqësues të regjimit të Asadit dhe të opozitës siriane. Kjo e fundit vazhdon të mbetet e përçarë, e pranimin e ftesës për ulje në tryezën e negociatave me presidentin e shumëurryer prej kundërshtarëve, fraksionet e diskutojnë prej ditësh.

Dilema e opozitarëve është e madhe sepse nuk janë të sigurtë nëse duhet t’i përgjigjen thirrjes së një shteti që në fillimet e konfliktit të përgjakshem sirian u rreshtua në krah të Asadit e tani ofrohet si ndërmjetës. Ndërkohë, edhe shumë mundësi zgjedhjeje nuk kanë. Nga sa deklaroi ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin, kush i qëndron larg procesit të negociatave nuk do të ketë më asnjë ndikim mbi të dhe rezultatin e tij.

Por, në mendjen e kundërshtarëve është i ngulitur fort fakti që rusët dikur e mbështesnin Asadin me armë dhe ekspertizë e tani kthehen befas në nismëtarë bisedimesh të paqes. Një pjesë e tyre druhen se pas një lëvizjeje të tillë fshihet diçka. Përpos kësaj, opozita këmbëngul në dorëheqjen e Asadit.

“Po qe se nuk ka kushte në drejtim të arritjes së qëllimeve politike, pra një qeveri të përkohshme pa Asadin dhe me kompetenca të plota ekzekutive, atëherë ne nuk kemi asnjë arsye pse të shkojmë në Moskë”, thotë Miurhan Jouejati, përfaqësues i koalicionit të forcave opozitare siriane.

Moska nuk është e gatshme të përmbushë kushte. Ndërmjetësuesit shprehen të hapur që të bisedohet për të gjitha çështjet që shqetësojnë palët e thotë se asnjë temë nuk duhet të përjashtohet. Kjo nuk i mjafton opozitës që trembet se ky proces kërkon të legjitimojë rolin politik të Asadit. Sipas zëdhënësit të koalicionit opozitar, Nasr al Hariri, të shkosh në Moskë në një kohë kur Asadi mban mijëra të burgosur civilë dhe demonstrues në burgje dhe lejon vdekjen të ulet këmbëkryq në qytetet siriane, do të thote t’i japësh vendit goditjen e fundit.

Top Channel