Stuhi “historike” dëbore në SHBA

26/01/2015 00:00

Veri-lindja e Shteteve të Bashkuara përgatitet për një stuhi historike dëbore, siç e quajnë mediat amerikane. Të paktën për Nju Jorkun, nga sa pohoi kryebashkiaku Bill de Blasio, mund të jetë më e madhja e përplasur ndonjëherë mbi këtë qytet, ndaj banorët duhet të përgatiten për më të keqen.

90 cm borë pritet të mbulojnë brigjet verilindore të Amerikës. Shërbimi Metereologjik Kombëtar parashikon reshje të dendura nga Filadelfia në Maine. Më shumë se 3.000 fluturime janë anuluar deri tani, e priten edhe shumë vonesa. Deri pasditen e së martës, nga Nju Jorku në Boston mbetet në fuqi paralajmërimi i autoriteteve për rrezik nga stuhia.

Pohimet e tij, kryebashkiaku De Blasio ua ilustroi gazetarëve edhe me listën e 10 stuhive më të fuqishme të dëborës me të cilat Nju Jorku është përballur që prej vitit 1872.

“Merrni të gjitha masat e nevojshme, përgatituni për sigurinë tuaj. Është koha të jeni gati për një mot vërtet ekstrem”, tha De Blasio.

Mjaft njujorkezë i kanë marrë seriozisht të tilla paralajmërime e kanë nisur të grumbullojnë ushqime, ujë e artikuj të tjerë bazikë. Stuhia më e madhe në historinë e Nju Jorkut u regjistrua në vitin 2006 kur mbi qytet ra gati 70 centimetra dëborë.

Top Channel