Kontrolli i cilësisë së karburanteve, IQT: Nga 5000 kontrolle, 200 pika me probleme

26/01/2015 00:00

Pas shqetësimeve të qytetarëve lidhur me mashtrimin me cilësinë e
karburanteve, Inspektoriati Qendror Teknik thotë se po kontrollon në
mënyrë të imtësishme çdo pikë furnizimi me pakicë, në Tiranë dhe rrethe.

Kreu i ri i IQT, Ejana Xhixha thotë se janë marrë rreth 5000 mostra prej të cilave mbi 200 kanë rezultuar se tregtojnë karburant jashtë standardeve të cilësisë. Ndaj tyre janë marrë masa që nga ndëshkimi me gjobë që varion nga 100 000 në 2 000 000 lekë, deri në pezullim të aktivitetit apo revokim të licencës.

“Nga 281 penalizime, 220 kishin probleme me cilësinë, kurse 61 probleme dokumentare. Janë propozuar 39 raste për pezullim license, 4 prej të cilave u është revokuar licensa përfundimisht, do t’i publikojmë shumë shpejt”, tha Xhixha.
 
Kreu i IQT-së u kërkoi qytetarëve të raportojnë pranë Inspektoriatit pikat e dyshuara prej tyre për mashtrim me cilësinë e karburantit.

IQT publikoi pak ditë më parë listën e mbi 60 subjekteve të ndëshkuara gjatë muajve nëntor e dhjetor, që tregtonin karburant jashtë standardeve të cilësisë. Pikat e gjobitura janë të vendosura jo vetëm në periferi por edhe brenda qyteteve, përfshirë vijën e verdhë të kryeqytetit.

Top Channel