Bllokimi i rrugëve, PS: Protestë e deputetëve, jo e qytetarëve

26/01/2015 00:00

Pas protestës së ndërmarrë nga Partia Demokratike për fikjen e makinave për 5 minuta në të gjithë vendin reagoi Ministria e Brendshme, e cila e cilësoi këtë veprim si produkt të një politike të vjetër dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve që nuk donin t’i bashkoheshin protestës së opozitës.

“Bllokimi i stimuluar i trafikut sot është produkt i një politike të vjetër antiqytetare dhe antidemokratike. Kush e quan ndryshe duke e paraqitur si një protestë demokratike gabon, sepse është fare e qartë se sadopak mjete të ndalen, ndalimi i tyre e bllokon krejt trafikun dhe ky bllokim nuk shpreh fare opinionin e të gjithë atyre që janë ndalur, por cënon drejtpërdrejtë lirinë dhe të drejtën e kujto që nuk është në rrugë për të protestuar, por për arsye të tjera nga më të ndryshmet. Partia Demokratike është në të drejtën e saj të protestojë dhe të organizojë protesta kundër çdo lloj veprimi apo qëndrimi të qeverisë, por nuk është në të drejtën e saj të detyrojë qytetarë që nuk mendojnë siç mendon PD, që të bëhen numërorët e saj, duke u vënë me zor në rreshtat e makinave të ndaluara”, tha zëvendësministrja Elona Gjebrea.

Ndërkohë, më të ashpër kanë qenë në reagimet e tyre deputetët Erion Braçe dhe Taluant Balla. Në Facebook, Braçe ka postuar dy video ku evidenton se pjesë e protestës ishin drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe deputetët e PD Pollo, Boçi, si dhe ish deputetët Dajçi, Babasi e Kadilli, të cilët sipas Braçes kanë fikur makinat e tyre të shtrenjta në bulevard.

Po ashtu, në rrjetin social Facebook deputeti socialist Taulant Balla ka shtruar pyetjen nëse kjo ishte protesta e qytetarëve apo protesta deputetëve, ish-deputetëve, ish-drejtorëve dhe drejtorëve të Bashës.

Deputetit Balla ka publikuar një foto ku duken deputetët e Partisë Demokratike që kanë dalë në bulevard. Në fund, Balla e mbyll reagimin e tij duke iu referuar fotos, se këta janë qytetarët që nuk bënë asgjë kur çmimi ishte 200 lekë, por po ankohen tani pse çmimi është 155 lekë.

Top Channel