Pasi ka arritur një fitore historike duke sjelle në fuqi në një vend europian për herë të parë një parti të së majtës radikale, lideri i saj Aleksis Tsipras, që ka rënë dakord me Grekët e Pavarur, një parti e djathtë, për të krijuar qeverinë, është betuar para presidentit të Greqisë Karolos Papulias.

Betimi për herë të parë ka qenë politik dhe jo sipas traditës me dorën mbi ungjill, pa praninë e kryepeshkopit të Greqisë. Por surprizave të ditës së parë të kryeministrit më të ri të vendit i është shtuar edhe fakti që për herë të parë në historinë e Greqisë pas diktaturës, ish-kryeministri Samaras nuk e ka pritur për t’i dorëzuar vetë postin dhe zyrën kryeministrore, fakt që ka ngjallur reagime të ashpra në gjirin e radikalëve për konservatorët dhe mënyrat e tyre të qeverisjes.

Pasi ka rënë entuziazmi i orëve të para, Aleksis Tsipras është ulur për të zgjedhur kabinetin e ri qeveritar, duke vlerësuar edhe reagimet nga shtetet anëtare të BE-së dhe nga Brukseli.

“Unë e kam dashur gjithmonë Greqinë, jo për shkak të përbërjes së qeverisë. Pse duhet ta ndryshoj qëndrimin tim të favorshëm në drejtim të Greqisë? Ne do të flasim për qeverinë e re dhe më pas do te shohim si do të veprojmë”, deklaroi presidenti i KE, Jean Claude Juncker.

“Ne ofrojmë bashkëpunimin me Greqinë. Por, natyrisht, ne shpresojmë dhe të supozojmë se Greqia do të respektojë angazhimet për të cilat kemi rënë dakord”, deklaroi ministri gjerman Frank Walter Steinmeier.

Megjithëse ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, prej disa orësh qarkullojnë emrat e disa prej ministrave që do të mbulojnë rreth dhjetë ministri që do të ketë kabineti i ri qeveritar i reduktuar në mënyrë të ndjeshme.

Midis tyre veçohet emri i një prej specialistëve më në zë të ekonomisë dhe financave, Janis Dragasakis, që thuhet se do të jetë zv/kryeministër dhe do të drejtojë negociatat me huadhënësit. Gjithashtu përflitet emri i profesorit të ekonomisë, Janis Varufakis, që vlerësohet se do të marrë “karriken e nxehtë” të Ministrisë së Finacave.

“Unë pres që të gjithë liderët europianë të pranojnë të negociojnë me qeverinë e re greke, duke pranuar faktin se sipas zgjedhjeve demokratike në Greqi, ne kemi një udhëheqje të re. Por unë besoj se termat e paketës së shpëtimit janë të njëjta për çdo qeveri, që prej vitit 2010 dhe deri tani në 2015 dhe e shoh shumë të vështirë se do të jemi në gjendje si Greqi, si qeveri e re greke, për të rinegociuar, veçanërisht një reduktim te borxhit”, deklaron George Tzogopoulos, analist politik.

“Martesa” e çuditshme e Radikalëve të Majtë me Grekët e Pavarur nuk ka kaluar pa u komentuar jo vetëm në Greqi, por edhe jashtë saj, pavarësisht se përflitej prej kohësh.

Si parti e djathtë që ende kërkon identitetin e saj midis qendrës dhe ekstremit të këtij spektri, flitet se ajo do të marrë Ministrinë e Mbrojtjes për të përforcuar pozicionimet e saj të rrepta në çështjet ndërkombëtare si marrëdhëniet me Turqinë, Shkupin, çështjen qipriote, përcaktimin e zonave ekonomike ekskluzive, apo politikën e emigracionit ku mund të preken edhe emigrantët shqiptarë.

Pikë e rëndësishme është edhe marrëdhënia Kishë-Shtet, për të cilën radikalët janë shprehur se do të kërkojnë ndarjen e tyre. Por, tani për tani, Tsipras nuk kërkon të prishë një urë miqësie që ka filluar të lidhë me kreun e Kishës Ortodokse në vend, kryepeshkopin Jeronimos.

Top Channel