Rrëzohet dekreti i Nishanit për ligjin e KLSH

26/01/2015 00:00

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, tha se ndryshe nga sa pretendon Presidenti, Kuvendi e ka të drejtën të përcaktojë me ligj rastet për shkarkimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Ligji është në frymën e vendimit 212 të Gjykatës Kushtetuese, pasi pavarësisht faktit që në Kushtetutë nuk janë parashikuar rastet e shkarkimit, apo të mbarimit para kohe të mandatit, kjo nuk do të thotë që në ligjet organike mund të përcaktohen vetëm rastet e shqyrtimit, që Kushtetuta ka caktuar për organet e tjera kushtetuese”, tha Blerina Gjylameti, deputete e PS.

Opozita votoi pro dekretit. Ridvan Bode i kërkoi mazhorancës të ndryshojë nenin për shkarkimin e kreut të KLSH. Sipas tij, ligji i zgjeron rastet e shkarkimit të kryeaudituesit të vendit dhe cënon pavarësinë e KLSH.

“Është një përpjekje për të rritur papërcaktueshmërinë e rasteve për shkarkimin e kryetarit të KLSH, gjë që do të shtonte presionin për të minimizuar pavarësinë e këtij institucioni, i cili dihet që ka për mision kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë ndaj organeve të qeverisjes qendrore dhe vendore”, u shpreh deputeti Bode.

Por Erjon Braçe tha se ligji i ri i ngushton rastet, kur mund të kërkohet shkarkimi i kryetarit dhe propozimi i mbetet sërish Presidentit.

“Kur KLSH vjen e kërkon këtë në Komision gjatë shqyrtimit të ligjit, e shikon të përputhur me Kushtetutën, me statusin e tij të njehsuar me anëtarin e Gjykatës së Lartë, nuk e kuptoj se ku hyn Presidenti në këtë mes. Në qoftë se Presidenti kërkon që ta shkarkojë kreun e KLSH për çdo gjë, ne nuk mendojmë kështu. Ne mendojmë se Presidenti – jo Kuvendi – mund ta shkarkojë kreun e KLSH vetëm për ato arsye, për të cilat shkarkohet edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë, për asgjë tjetër”, tha kreu i Komisionit të Ekonomisë, Braçe.

“Ligji aktual ka 5 raste dhe janë të mbyllura, ndërsa këtu zgjerohet”, u përgjigj më tej Bode.

Përfaqësuesit e KLSH nuk pranuan të prononcoheshin rreth këtij neni, pasi sipas tyre janë në konflikt interesi. Por ata kanë mbështetur ligjin në tërësi dhe kërkuan miratimin sa më parë të tij.

Top Channel