Kosovë, Jabllanoviç nuk shkarkohet

26/01/2015 00:00

Ministri serb për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç nuk  ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti qeveritar, siç po i kërkohet për shkak të deklaratave të tij fyese ndaj qytetarëve të Kosovës.

Burime të Top Channel brenda qeverisë bëjnë të ditur se kryeministri Isa Mustafa e ka takuar ministrin Jabllanoviç dhe i ka kërkuar që ta shqyrtojë mundësinë e dorëheqjes, por një gjë e tillë mësohet se është refuzuar nga lideri i Listës Serbe.

Jabllanoviç e shfrytëzoi mbledhjen e kabinetit qeveritar për t’u shfajësuar për deklaratat e tij.

“Unë nuk kam pasur ndërmend që të lëndoj askënd me deklaratat e mia, e aq më shumë nënat gjakovare. Unë jam shprehur vetëm për ata njerëz që kanë qenë atë ditë në Gjakovë dhe për të cilët kam kërkuar falje. Më vjen shumë keq që një deklaratë e tillë po shfrytëzohet për protesta dhe dhunë. Unë si anëtar i qeverisë jam munduar që gjatë tërë kësaj kohe këtë deklaratë ta sqarojë dhe njëkohësisht të përsëris se për asnjë moment nuk kam dashur të lëndoj qytetarët me atë deklaratë”, tha Jabllanoviç.

Kjo deklaratë e tij vjen pas protestave të mijëra qytetarëve të cilët po kërkojnë nga kryeministri Isa Mustafa ta shkarkojë ministrin serb. Por në mbledhjen e qeverisë kryeministri foli për protestat e organizuara nga organizata “Thirrjet e nënave” dhe lëvizja Vetëvendosje.

Ai tha se shqetësimet e qytetarëve të Kosovës janë të kuptushme për qeverinë dhe shtoi se ato do t’i trajtojë në programin qeveritar.

“Qeveria e Kosovës fton qytetarët për pjekuri, maturi politike dhe tolerancë. Deklaratat individuale nuk mund të shërbejnë si pretekst për të përshkallëzuar situatën. Përshkallëzimi i situatës u leverdis vetëm armiqve të Kosovës dhe dëmton rrugën e saj për zhvillim dhe integrim”, tha Mustafa.

Mustafa i ftoi partitë opozitare që mbështesin protestat që betejën politike ta zhvillojnë brenda institucioneve të Kosovës e jo në sheshe.

Top Channel