Kosovë, shtohet siguria pranë ambasadës malazeze

26/01/2015 00:00

Qeveria e Kosovës do të përforcojë sigurnë pranë ambasadës së Malit të Zi, e cila ndodhet në sheshin Nënë Tereza të kryeqytetit.

Reagimi i Prishtinës zyrtare vjen pasi ambasada e shtetit fqinj u bë objekt i gurëve të protestuesve ditën e shtunë, gjatë protestës së opozitës.

Zyra për shtyp e Ministrisë së Jashtme bëri të ditur për Top Channel se lidhur me sulmin e së shtunës autoritetet malazeze kanë kontaktuar MPJ-në dhe se pala kosovare ka konfirmuar se sigurimi i ambasadës do të përforcohet në mënyrë që të shmangen incidente të tilla.

Nga ana tjetër, mediat në Kosovë citojnë përfaqësuesin diplomatik të Malit të Zi në Kosovë, Radovan Miljaniç të ketë thënë se “nuk ka arsye për panik” dhe se ambasada është e kënaqur me qëndrimin e policisë dhe qeverisë së Kosovës ndaj incidentit.

Sipas tij, protestuesit kanë hedhur gurë dhe kanë thyer një dritare të selisë diplomatike.

Top Channel