Indi, Obama, për herë të parë në paradën e “Ditës së Republikës”

26/01/2015 00:00

Barack Obama u bë i pari lider i Shteteve të Bashkuara, që merr pjesë si i ftuar nderi në kremtimet e përvitshme të “Ditës së Republikës” në Indi, çka u përkthye menjëherë si tregues i afërsisë së relatave dypalëshe.

21 të shtëna përshëndetëse topash shënuan fillimin e paradës nën qiellin e vrenjtur të Rajpathit, bulevardi që lidh Pallatin Presidencial me Portën India në kryeqytetin Nju Delhi. Mijëra vetë ishin mbledhur për të parë parakalimin e trupave, tankeve, raketave dhe formacioneve ushtarake me kuaj e deve. Eventi është një shfaqje e përvitshëm e fuqisë ushtarake të vendit dhe diversitetit kulturor të tij.

Prania e Presidentit amerikan tërhoqi vëmendje të madhe. Në vetëvete, vizita e Obamës në këtë vend shihet si një mesazh solidariteti mes Amerikës dhe Indisë, përballë pranisë gjithmonë e më domethënëse në skenën ndërkombëtare të Kinës, e cila është edhe një vend i mirëarmatosur.

Në fjalët e kryeministrit Narendra Modi, ndalesa treditore e shefit të Shtëpisë së Bardhë pasqyron transformimin e marrëdhënies mes dy shteteve.

Obama mbërriti atje të dielën, e ka nënshkruar deri tani një sërë marrëveshjesh, përfshirë këtu ujdinë që lejon kompanitë amerikane të ndërtojnë reaktorë bërthamorë në Indi, si dhe një kornizë 10-vjeçare për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes e atë të sigurisë.

Top Channel