Sa e vështirë është të jesh antikonformist në ditët tona?

26/01/2015 00:00

Të shkosh kundër rrymës nuk është e lehtë. Ambienti social që të rrethon mund të të shohë çuditshëm, e madje të krijojë mendim të gabuar, duke të të përkufizuar si mendjemadh apo antisocial.

Albi Jahja është një i apasionuar pas motorëve, i cili jeton në mënyrë krejt origjinale dhe të veçantë. Pamja prej motoristi, sikurse dhe mënyra se si i sheh gjërat, e bëjnë të dallueshme nga njerëzit e tjerë. Edhe pse e di se është e vështirë të jesh antikonformist në Shqipëri, Albi ia del shumë mirë.

“Dëshira ime është vërtet shumë e madhe për të qenë kundër të gjithëve. Ndihesh edhe mirë brenda vetes, kur bën diçka kundër pjesës tjetër, që shkon nga e njëjta rrymë. Por, me raste, ka gjëra që realizohen dhe ka që nuk realizohen. Varet nga koha, mundësitë, vendi ku gjendesh, punët që ke dhe shumë të tjera. Në qoftë se motoristët në përgjithësi, por edhe ‘harlistat’ kanë ‘look’-un e tyre me ato xhupat e zi të lëkurës, unë jam tip që më pëlqen modernja. Luaj edhe me veshjet dhe me ngjyrat. Përveç aksesorëve që kam që shkojnë me stilin e motorit, kam edhe aksesorë që ndryshojnë sipas firmave, pa të cilat nuk mund të rri dot”, shprehet Albi Jahja.

Ai nget një “Harley Davidson”, por ndryshe nga motoristët e tjerë, 45-vjeçari ka një stil unik veshjeje. Portreti i egër në dukje të gënjen, shpesh herë pamja i ka krijuar shqetësime, te njerëzit që nuk e njohin.

“Çdo njeri është i ndryshëm nga tjetri, dallojnë nga mendimet, nga punët, e nga shumë gjëra të tjera. Nuk besoj se njerëzit janë apo duan të jenë njësoj. Por, shumica preferojnë ndonjëherë edhe të kopjojnë gjëra që i shohin te të tjerët, ndërsa unë shkoj kundër rrymës gjithnjë. Kam pikëpamje të ndryshme mendimesh, preferoj gjëra të ndryshme edhe në muzikë. Pjesën e pamjes e vuaj, sepse gjithmonë kur s’më njohin mirë apo kur s’kanë biseduar ndonjëherë me mua, duke parë edhe flokët e gjata, mjekrën e lënë dhe tatuazhet – të cilat i kam shumë qejf – por edhe nga fiziku, ndonjëherë keqkuptohem dhe dukem si natyrë e egër. Shumë vetë stepen përpara se të flasin, më rrinë larg, deri sa vjen momenti që pasi flasim njihemi më mirë dhe rezulton tjetër pikëpamje”, tregon Albi.

Për Elvisin, mikun e tij më të mirë, Albi nuk do t’i ngjajë askujt, pasi ndihet mirë me veten.

“Vishet ndryshe dhe në mënyrë të veçantë thuajse përditë. Ka edhe një aftësi ‘selfdesigner’ për veten e tij, apo një dizenjues vetjak për veshjet e veta. Shumë veshje i modifikon me perçina e aksesorë të tjerë, siç është edhe vetë stili i një motoristi. E kam parë të shkojë kundër rrymës, sepse ka refuzuar gjithnjë, kur ka parë një grup me të njëjtin qëndrim. Ka refuzuar, në aspektin pozitiv, të qëndrojë me ta, duke hedhur ide të ndryshme”, thotë Elvis Angjellari.

Nuk është snobizëm, por mënyrë jetese. Edhe pse është i ndërgjeshëm se bie gjithmonë në sy te njerëzit, stili i lirë i motoristit duket se është bërë njësh me karakterin e Albit.

Top Channel