Hijet e trukimit, reagon presidenti i Teutës: Gabimet në fund, nga dëshira për të fituar

26/01/2015 00:00

Situata e krijuar në minutat e fundit të ndeshjes Flamurtari-Teuta, mesa duket do të vazhdojë të diskutohet gjatë në ambientet sportive dhe jashtë tyre.

Presidenti i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu, i është kundërpërgjigjur me një batutë akuzave të drejtuesve të Flamurtarit, të cilët një ditë më parë aluduan për një trukim të rezultatit.

“Ata tani duhet të gëzonin tani, sepse kanë fituar ndeshjen. Duhet të isha unë pala akuzuese. Madje, unë dyshoj se mos ka bërë ndonjë gjë Vlora te lojtarët e mi, mos m’i ka blerë ata. Duhet të dyshoj unë, jo të dyshojnë ata te ne”, shprehet Edmond Hasanbelliu, president i klubit të futbollit Teuta.

Presidenti Hasanbelliu i del në mbrojtje edhe portierit Osmani, i cili është objektivi kryesor i akuzave të opinionit të gjerë sportiv.

“Më shumë u mora me portierin, dhe ai me sinqeritet më tha se nga nxitimi dhe dëshira për të fituar ndeshjen, meqë këtë gjë ia kishim kërkuar ne drejtuesit, bëri edhe atë gabim. Por ai mendon se ka luajtur mirë. Në fakt mua m’u duk më shumë si shthurje, ai vërtet pasoi gabim, por më duket se edhe priti”, vijon më tej shpjegimet presidenti Hasanbelliu.

Në fund, presidenti i Teutës hedh poshtë akuzat e administratorit të Flamurtarit, Idrizi, se ndeshjet e Kategorisë Superiore trukohen.

“Si shumë po fliten në Shqipëri këto trukimet, por na thoni se kush po i ble këto ndeshje, të cilat po i shesim ne”, mbyll reagimin e tij Hasanbelliu.

Top Channel