Maqedoni, qeveria “Tsipras” nuk jep shpresa për zgjidhjen e “emrit”

26/01/2015 00:00

Pushteti i ri në Greqi nuk pritet ta ndryshojë qasjen ndaj problemit bilateral me Shkupin, rreth emrit kushtetues të Maqedonisë. Analistët në Maqedoni vlerësojnë se fitorja e “Syriza”-s në Greqi nuk do të ndikojë në përmirësimin e raporteve mes dy vendeve.

“Fitorja e Syriza-s ka ngjallur shpresa te disa qarqe politike dhe intelektuale në Shkup, që vlerësojnë se ajo mund të sjellë një kthesë pozitive në dialogun për zgjidhjen e çështjes së emrit. Personalisht mendoj se nuk do të ndodhë asgjë, për shkak se qeveria e Maqedonisë po vazhdon me provokime ndaj Athinës, siç ishte rasti i fundit me emërimin e sallës universale në Shkup, me emrin ‘Aleksandri i Madh’. Ky emërtim është një akt formal, mirëpo mund të shkaktojë dëm të madh, duke pasur parasysh sesa i ndjeshëm është opinion grek lidhur me pretendimet e Shkupit ndaj historisë antike”, tha Anila Limani, gazetare.

Shumica e analistëve në Maqedoni janë të mendimit se zgjidhja e problemit të emrit nuk do të jetë prioritet për qeverinë e re greke, e cila pritet të jetë më e fokusuar në problemet financiare të vendit. Gazetari maqedonas, Aco Kabronov, thotë se për tejkalimin e këtij problemi bilateral mungon interesi edhe në Shkup.

“Mendoj se Tsipras nuk do të bëjë asgjë për zgjidhjen e çështjes së emrit, as që do të merret me këtë problem. Në këtë drejtim, pushteti i ri në Greqi do të ndjekë qëndrimin e qeverisë së kaluar, sepse atje ekziston konsensus i gjerë mes partive për emrin e Maqedonisë. Nuk pres përparim në tejkalimin e problemit, sepse jo vetëm në Greqi, por edhe këtu te ne nuk ka vullnet për zgjidhjen e emrit”, tha Aco Kabranov, gazetar.

Problemi i pazgjidhur i emrit po mban të bllokuar me vite procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Top Channel