Ahmetaj: Paketë masash për karburantet

26/01/2015 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj tha në një takim me përfaqësues të biznesit se sfidë e qeverisë sa i përket tregut të karburanteve mbetet garantimi i cilësisë dhe mbrojtja e konsumatorit.

“Shumë shpejt do të jemi aktivë me një paketë të monitorimit të tregut në favor të qytetarit, në mënyrë që kur paguan 158 lekë për një litër naftë të jetë naftë dhe jo gjysmë naftë e gjysmë ujë. Kjo është një sfidë dhe përgjegjësi e qeverisë”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj komentoi edhe protestën lidhur me çmimin e naftës për të cilin ai këmbënguli se e ka reflektuar uljen në tregjet ndërkombëtare.

“Gjej rastin të falenderoj qytetarët që e dinë vetë shumë mirë kur ta fikin dhe ta ndezin makinën. Sa për debatin për çmimin e naftës, pasi kemi premtuar se ai nuk do të rritej, është ulur nga 198 në 158 lekë, rënie me 40 lekë më pak”, nënvizoi Ahmetaj.

Në fokus të takimit ishte zhvillimi i bujqësisë dhe tregtisë si dy sektorë prioritarë të ekonomisë. Ahmetaj tha se po punohet per bashkimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe asaj të Liçencimit, për të shkurtuar kohën e biznesit në kryerjen e proçedurave.

Ndërkohë do të ndërhyhet me paketa mbështetëse për turizmin, si dhe janë parashikuar disa ndryshime në ligjin e partneritetit publik-privat.

Top Channel