Ja sesi malazezët deformojnë historinë shqiptare

26/01/2015 00:00

Fati aktual i shqiptarëve të Malit të Zi është i lidhur me shkelje të shumta të të drejtave të tyre. Të çarë e përçarë në forca të shumta politike, të rrudhur në lirinë ekonomike e zhvillimore në zonat ku jetojnë, në pamundësi për të qenë vërtetë të lirë, në një tokë ku nuk janë të ardhur. Mjafton të shohësh diskriminimin në arsim, për të kuptuar më pas gjithë pjesën tjetër.

Shqiptarët në Mal të Zi, qysh herët kanë qenë më pak në vëmendjen e autoriteteve shqiptare, që janë mjaftuar shpesh vetëm me fjalë e vizita kortezie në Podgoricë. Kur, ndërkohë, pas perdes zyrtare fshihen shkelje të shumta, që po minimizojnë apo po detyrojnë çdo ditë shqiptarët të largohen, nga një tokë ku janë autoktonë e jo pakicë, siç konsiderohen.

Arsimi është një nga piketat kryesore, nga ku nis një proces i tërë asimilimi, që në moshën më të njomë. Aktualisht në Mal të Zi ndjekin shkollimin në gjuhën shqipe, nga klasa e 1-rë deri në atë të mesme, duke përfshirë edhe parashkolloret, rreth 4200 nxënës. Për të kuptuar se çfarë ata mësojnë gjatë kësaj periudhe, mjafton të shfletosh librat, ku do të gjesh deformime, fshirje e manipulime të çfarëdollojshme.

“Është absurditet i madh që fëmijët tanë më shumë mësojnë për qytete që nuk i njohin e nuk dinë se ku bien, sesa për qytetet e tyre dhe që i ndiejnë dita-ditës”, thotë një prind.

Duke filluar nga librat e thjeshtë, si matematika, ku mund të shikosh se edhe emrat e personazheve të përdorura në ushtrime janë thuajse tërësisht sllave, si Jovana e Zorani, si një formë e pavetëdijshme e përdorur që te moshat më të njoma, për të mos u identifikuar me emra shqiptarë.

Por këto janë problemet më minimale. Mjafton të shfletosh librat e historisë te klasat e ndryshme. Si u krijuan shqiptarët? Ja versioni i njërit prej këtyre librave, me të cilat nxënësit shqiptarë duhet të mësojnë.

Duke u vendosur në Ballkan, sllavët shkatërronin fshatra dhe qytete, kapnin robër dhe vrisnin popullsinë greke, romake dhe atë gjysmë të romanizuar. Prej kësaj popullsie të romanizuar u zhvilluan vllehët dhe shqiptarët. Ata nuk paraqisnin asnjë rrezik për sllavët, kështu që midis tyre u vendosën marrëdhënie paqësore.

Për Ilirët nuk ka asnjë radhë. Për më tepër, në këto libra historia shqiptare nis vetëm në Mesjetë, siç ndodh në Historinë për klasën e parë dhe të dytë të shkollave të mesme. Ajo që kuptohet qartë është tentativa për të këputur çdo lloj lidhjeje mes ilirëve dhe arbërve. Pra, praktikisht, shqiptarët paraqiten si një popull pa histori antike, e për më tepër edhe me përbërjë jo homogjene, siç shkruhet më poshtë.

Shqiptarët ishin luftëtarë të zotë, kështu që sunduesit i shfrytëzonin në luftrat e shpeshta. Popullsia në qytete u rrit vazhdimisht nga brendësia, por deri në fund të Mesjetës shumicën e bënte popullsia romane ose greke.

“Në qoftë se pyet një nxënës, i cili kryen shkollën fillore por edhe të mesme, për ndonjë ngjarje nga historia kombëtare e ka të vështirë të japë përgjigje. Për arsye sepse në shkollë, ai nuk është i përgatitur për ato njësi mësimore, ndaj – ndoshta duket edhe qesharake – por nxënësit shqiptarë nuk kanë as njohuritë elementare nga historia kombëtare”, thotë drejtori i një shkolle, Nail Draga.

Tivari nuk quhet askund me këtë emër, por vetëm Bar, siç është emri sllav i tij. Për Ulqinin – siç thotë Historia për vitin e tretë të gjimnazit – shkruhet se malazezët e çliruan. Historia 3 shkruan gjithashtu për Kongresin e Berlinit dhe kufijtë e Malit të Zi, për bashkëngjitjen e Plavës dhe Gucisë, për Sanxhakun, por askund nuk thuhet qoftë edhe një fjalë, se këto ishin toka shqiptare të banuara nga shqiptarë.

Në mos të rëntë në dorë Gjeografia, edhe ajo e mbushur me harta historike ku mungon Shqipëria. Përveç manipulimeve, në të gjitha rastet, hapësira që flet për historinë dhe gjeografine shqiptare është jo më shumë se një faqe. Pra nxënësit shqiptarë duhet të mësojnë për vendin e tyre, po aq sa ç’mësojnë për të tjerët. E njëjta logjikë përdoret edhe në librat e Muzikës, ku fëmijët duhet të mësojnë këngë sllave të përkthyera në shqip.

“Ministria e Arsimit e Malit të Zi ka krijuar ekipe të tilla, të cilat merren me kontrollin dhe janë në grupet që bëjnë redaktimin e këtyre teksteve, ku bëjnë pjesë vetëm malazezë që janë shpërngulur nga Vraka, rrethi i Shkodrës, dhe duke u vënë në krye të këtij institucioni, apo konkretisht Entit të Teksteve Mësimore, që boton librat shkollorë”, thotë Haxhi Shabani.

Në hartimin e librave të të tre këtyre lëndëve nuk ka as edhe një shqiptar, qoftë edhe në procesin e redaktimit apo konsultimit. Pa llogaritur plan-programin, që edhe ai është i imponuar, siç edhe pohohet nga burime të shumta. Ndërkohë që edhe kompleti i librave në tërësi kushton më shumë për një nxënës shqiptar, sesa për një malazez.

“Vetë fakti që mësojnë për të huajin dhe nuk mësojnë për veten, do të thotë të mos mësojnë për atë çka janë, për të qenit shqiptar, por të mësojnë për sllavët. Janë të gjitha rrethanat, që të çojnë nga një asimilim i heshtur. Më befason fakti, që ne kemi një politikë ‘shqiptare’ që vepron, sepse që nga viti 1992 kur ka filluar pluralizmi, në çdo zgjedhje kërkojnë nga mua si prind të votoj shqip, flasin për vota shqip, në një kohë që fëmija im në tekste mësimore ka shumë pak shqip, për të mos thënë edhe atë pak që ka, e ka të shtrembëruar”, thotë Gëzim Ibroçi.

Në Kushtetutën e Malit të Zi, në nenin 79, përcaktohet mbrojtja e identitetit. Garantohet shprehja, ruajtja, zhvillimi dhe manifestimi në publik i veçantisë nacionale, etnike e kulturore. Siç garantohet, të paktën në letër, edhe që programet arsimore të përfshijnë historinë e kulturën e pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera. Ashtu si neni 80, që ndalon asimilimin. Është i ndaluar asimilimi i dhunshëm i pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera.

Në fakt, shteti i Malit të Zi shkel me të dyja këmbët edhe Konventën kuadër për Mbrojtjen e Pakicave të Këshillit të Evropës. Nenet 5, 6, 11, 12, 13 dhe 14, e një sërë nenesh të tjera, janë në mbrojtje të identitetit kombëtar, të të drejtave dhe lirive themelore për ruajtjen e tij. Ndalohen politikat asimiluese, ndërsa duhet të nxiten masat në fushën e arsimit për njohjen e kulturës, historisë, gjuhës e kështu me radhë. Kjo Konventë është mëse e qartë në të gjitha këto nene. Ashtu siç është e qartë edhe Karta e Helsinkit.

“Në përgjithësi mendoj se rinia jonë, duke pasur probleme të tilla edhe emigron shumë. Prej vitit 2006 e deri tani, mbi 4 mijë banorë të Ulqinit, shumica e të cilëve të rinj, kanë ikur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera të Perëndimit, aty ku mendojnë se mund të kenë një jetë më të mirë”, thotë Ismet Karamanaga.

Pra sot, shteti malazez shkel jo vetëm Kushtetutën e tij, por edhe konventat ndërkombëtare, të detyrueshme për t’u zbatuar nga kushdo. Një situatë e tillë detyron shtetin shqiptar të ndërhyjë, për të mbrojtur shqiptarët e Malit të Zi, të drejtën e tyre për të qenë të tillë. Jo të ardhur nga humbëtirat e historisë, siç shkruajnë librat malazeze, por nga ajo tokë ku janë edhe sot, brez pas brezi e prej shekujsh, shqiptarë. Një e drejtë e tillë sanksionohet në të gjitha konventat ndërkombëtare.

Top Channel