Barcelona, Neymar: Messi ta bën jetën sportive më të lehtë

26/01/2015 00:00

Ylli brazilian i Barcelonës, Neymar, i ka thurur lavde 4 herë fituesit të “Topit të Artë”, Lionel Messit, për ndihmesën që ka dhënë në rikthimin e tij në formë gjatë sezonit të tij të dytë me katalanasit.

Neymar mori dy asiste nga Messi, duke shënuar kështu një dygolësh ndaj Elches në fitoren tenistike 6-0 të së shtunës, duke arritur tashmë në kuotën e 19 golave të shënuar në 24 ndeshje, 4 më shumë sesa mundi të shënonte gjatë të gjithë sezonit debutues në La Liga.

“Nga të gjithë lojtarët që kam parë të luajnë, Messi është më i miri dhe do të vijoj të kem respektin maksimal për të”, tha 22-vjeçari gjatë së hënës. “Jemi duke u përmirësuar vazhdimisht dhe së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha. Nëse ke një marrëdhënie të mirë jashtë fushe, ajo mund të ndikojë po aq mirë edhe për gjërat brenda saj. Të luash në krah të lojtarit më të mirë është gjithnjë shumë e lehtë”.

Neymar duhet ende të fitojë një trofe madhor me Barçën, pasi gjigantët katalanas dolën me “zero tituj” gjatë sezonit të kaluar, për herë të parë që prej 6 vitesh. Në aspektin personal, sezoni i brazilianit ka qenë i ndikuar prej dëmtimeve. Megjithatë, kapiteni i Brazilit është rikthyer në mënyrë admiruese në formë të mirë, pasi pa që ëndrrat e tij për të fituar Botërorin në vendin e tij përfunduan me thyerjen e dy vertebrave gjatë çerekfinales me Kolumbinë, të fituar 2-1 në korrik.

“Gjatë sezonit të parë më duhej të njihesha me të gjithë dhe me gjithçka. Megjithatë e kam thënë se kam shumë gjëra për të arritur dhe vazhdoj ta ndiej një gjë të tillë. Jam rritur profesionalisht dhe personalisht, kam mësuar shumë nga lojtarët që kam në krah, të cilët janë ikona botërore. Është gjithnjë kënaqësi të stërvitesh dhe të luash me ta”.

Top Channel