Spanjë, rrëzohet avioni ushtarak grek, 10 të vdekur

26/01/2015 00:00

Një avion luftarak grek është rrëzuar pasditen e së hënës në një bazë ushtarake në Spanjë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave, ka njoftuar Ministria spanjolle e Mbrojtjes.

Autoritetet ushtarake deklaruan se avioni tip “F-16” u përplas me avionë të tjerë kur ra në tokë dhe shpërtheu në bazën ajrore Los Llanos, në Albasete, në qendër të Spanjës.

Sipas mediave lokale, një prej pilotëve të avionit bëri një manovër të gabuar teksa nisej. Raportohet se të dy pilotët kanë humbur jetën në këtë ngjarje.

Ndërkohë, 13 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, 6 prej të cilëve kanë marrë lëndime serioze, njoftojnë autoritetet iberike.

Përplasja e avionit në tokë dhe shpërthimi që pasoi shkaktuan flakë dhe një re të zezë tymi që u ngjit në ajër. Shumica e viktimave nuk besohet të jenë spanjollë, saktësojnë autoritetet.

Ekipet e shpëtimit po punojnë për të shuar zjarrin dhe për të llogaritur dëmet që u janë shkaktuar avionëve të tjerë të përfshirë në këtë stërvitje të NATO-s.

Një zëdhënës i Aleancës teksa ka folur për agjencinë e lajmeve “Associated Press” ka refuzuar të japë detaje mbi aksidentin. Ndërsa sekretari i përgjithshëm, gjenerali Jens Stoltenberg deklaroi se ndihej shumë i trishtuar për ngjarjen.

Ndërkohë, zyrtarë spanjollë thanë se avioni po merrte pjesë në stërvitjen e NATO-s e njohur si Programi i Lidershipit Taktik.

Top Channel