Shumica rrëzon sërish dekretet e Nishanit. PD: Po shkelet marrëveshja

26/01/2015 00:00

Shumica qeverisëse në komisionin e ligjeve e rrëzoi dekretin e presidentit, që ktheu si anti-kushtetues ligjin për Gjykatën e Lartë. Rrëzimi nuk ishte surprizë, sepse këtë veprim mazhoranca e ka bërë me çdo dekret të presidentit për Gjykatën e Lartë.

Ajo që i jep rëndësi këtij dekreti është se opozita e lidhi atë me reformën në drejtësi dhe e akuzoi mazhorancën se po shkel marrëveshjen e 24 dhjetorit, ku një nga pikat ka të bëjë me gjetjen e konsensusit dhe mospërdorimin e shumicës së cilësuar.

“Po kërkojmë vetëm kaq: t’ia kalojmë tryezës së reformës në drejtësi sipas marrëveshjes. Në të kundërt, është qëndrimi i qartë se ju doni të prishni marrëveshjen e kthimit tonë në Parlament. Kërkojmë konsensus, siç kemi rënë dakord dhe të marrim mendim nga Komisioni i Venecias”, deklaroi deputeti i PD, Arben Ristani.

“Komisioni i Venecias nuk është pjesë e reformës në drejtësi. Komisioni i Venecias është i rëndësishëm për atë rol që ka dhe prandaj ne kemi kërkuar të bëhet aq sa mund të bëhet pjesë e reformës. Por jo çdo ligj që bëhet në Parlament duhet të marrë pëlqimin e Komisionit të Venecias”, replikoi kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj.

Partia Demokratike ende nuk merr pjesë në komisionin parlamentar për drejtësinë, sepse e cilëson atë një farsë përsa kohë mazhoranca po prek veçmas ligjet themelore të kësaj reforme, me synimin, siç thotë opozita, për të vendosur nën kontroll politik sistemin e drejtësisë.

Top Channel