Kobani çlirohet tërësisht nga militantët e ISIS, sukses i kurdëve dhe sulmeve ajrore

26/01/2015 00:00

Forcat kurde kanë mundur të marrin kontrollin e plotë të qytetit sirian të Kobanit gjatë së hënës, pasi zmbrapsën luftëtarët e Shtetit Islamik, sipas grupit monitorues OSDNJ por dhe mediave shtetërore, edhe pse Uashingtoni thotë se beteja 4-mujore nuk ka përfunduar ende.

Disa mbështetës të ISIS “pushtuan” rrjetin social Twitter për të thënë se lufta për Kobanin, një pikë kyçe e betejës ndërkombëtare kundër grupit ekstremist islamik, është ende e ndezur. Militantët islamikë nisën sulmin e tyre ndaj qytetit të dominuar prej kurdëve vitin e kaluar, duke përdorur armë të kalibrit të rëndë, të cilat i kishin rrëmbyer në Irak, duke detyruar me dhjetra-mijëra civilë të largoheshin.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDNJ) me seli në Britani njoftoi se njësiti i mbrojtjes i kurdëve të Sirisë (YPG) ka marrë nën kontroll qytetin që ndodhet në kufi me Turqinë, por janë duke vepruar me kujdes të madh në periferinë lindore, ku ekstremistët e Shtetit Islamik kanë vendosur mina përpara se të largoheshin.

“Mund të shoh flamurin e YPG të valëvitet ngado në Kobani, edhe pse ka ende zhurmë avionësh që fluturojnë mbi qiellin e këtij qyteti”, tha Tevfik Kanat, një kurd i Turqisë, i cili nxitoi menjëherë drejt kufirit së bashku me qindra të tjerë, përfshi refugjatë nga Kobani, për t’u rikthyer sapo dëgjuan avancimin e mbrojtësve. “Njerëzit janë duke kërcyer dhe kënduar, kanë hedhur fishekzjarre për të festuar. Ndaj dhe kushdo ndihet i liruar tashmë”, tha ai përmes telefonit.

Megjithatë, Shteti Islamik ka ende qindra luftëtarë në fshatrat ngjitur me të, ndërkohë që të hënën kanë ripërsëritur thirrjet ndaj mbështetësve të tyre, për të kryer sulme dhe për të shënjestruar popujt e Perëndimit me çfarëdo lloj armësh që të shtien nëpër duar.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar thuajse përditë sulme ajrore ndaj pozicioneve të Shtetit Islamik përreth Kobanit, të njohur si Ayn al-Arab në arabisht. Një qytet që ka qenë në frontin e luftimeve kundër grupit ekstremist, i cili ka pushtuar rajone të tëra në Irak dhe Siri për të deklaruar të ashtuquajturin kalifat islamik.

Pentagoni bëri të ditur se nuk mund ta deklaronte betejën për Kobanin të mbaruar, pavarësisht se pranoi faktin që kurdët kanë tashmë kontrollin e plotë të tij. “Nuk mund të them se mori fund, fituam. Beteja vazhdon, por për momentin forcat aleate besoj se kanë supremacinë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Kolonel Steve Warren.

Top Channel