Rusia merr një tjetër goditje, “S&P” ul vlerësimin e kredive në “të pavlera”

26/01/2015 00:00

Duke u konsideruar si një tjetër goditje ndaj ekonomisë ruse, pas kërcënimeve për sanksione të tjera nga BE dhe SHBA, kompania e vlerësimit të borxheve “Standard & Poor’s” uli vlerësimin e kredive të Rusisë në statusin “të pavlerë”.

Kjo ulje vlerësimi do ta bëjë edhe më të vështirë, por jashtëzakonisht të shtrenjtë për Rusinë të kërkojë huamarrje. Shumë investitorëve u është kërkuar të mbajnë vetëm obligacionit e marra për investime, teksa tashmë janë të detyruar të sheshin letrat ruse me vlerë.

Ekonomia e Rusisë është shtyrë buzë recesionit nga rënia dramatike e çmimit të naftës. Sanksionet e vendosura nga Perëndimi, për shkak të veprimtarisë dhe ndikimit të Rusisë në krizën e Ukrainës, kanë vendosur gjithashtu nën një presion të madh ekonominë e këtij vendi, ku rreth gjysma e të ardhurave qeveritare vijnë nga eksportet e naftës dhe gazit natyror.

Në dhjetor, “S&P” paralajmëroi se Rusisë i kishin mbetur shumë pak opsione për të rigjallëruar ekonominë e saj të sëmurë dhe sinjalizoi se agjencia e kishte vendosur vendin në statusin e rishikimit e me shumë mundësi do të ulte vlerësimin e borxheve të saj.

Situata është përkeqësuar vazhdimisht, pasi edhe sot çmimi aktual i naftës bruto vijon të bjerë, duke u tregtuar për rreth 45 dollarë për fuçi, krahasuar me 100 dollarë për fuçi që ka qenë në korrikun e vitit të kaluar. Në buxhetin qeveritar të këtij vit, Rusia kishte parashikuar se nafta do të tregtohej me mbi 100 dollarë për fuçi gjatë 2015-s.

Monedha kombëtare e Rusisë, rubla ruse, ka rënë në nivelet më të ulëta historike, duke shtuar shqetësimet se vendi po futet drejt një krize financiare që të godet nga të gjitha anët. Vetëm gjatë muajve të fundit, rubla ka humbur rreth 40% të vlerës së saj kundër dollarit amerikan. Ndërkohë që rusët kanë nxituar prej kohësh të tërheqin depozitat në monedhën vendase dhe t’i kthejnë ato në dollarë, të shqetësuar nga zhvlerësimi dhe çmimet gjithnjë e në rritje të mallrave të importit.

Sipas “S&P”, të gjitha këto kanë përkeqësuar zhvlerësimin e rublës, e tashmë pritet që inflacioni të rritet mbi 10% në Rusi përgjatë këtij viti. Banka Qendrore e Rusisë ka ngritur normat e interesit 5 herë gjatë këtij viti, në përpjekje për të mbështetur rublën.

Top Channel