Në pjesën e tretë të “Shqip” Edi Rama nuk erdhi si politikan, as si Kryeministër, por si artist nëpërmjet rrëfimeve të kolegëve piktorë, gazetarëve dhe miqve të tij francezë me rastin e hapjes së një ekspozite të përbashkët me piktorin Bujar Luca.

Luan Rama, publicist dhe diplomat: Ato që bëri në arkitekturën e Tiranës, ato gjeta në vizatimet e tij. kam parë librin e botuar, kam lexuar tekstet e tij dhe është interesante që gjendej në atë majë të greminës dhe atëherë gjente kohë për të pikturuar. Në përgjithësi artisti dhe pushteti janë në kundërvënie, por ndonjëherë ka njerëz tek te cilët bashkëjetojnë.

Artur Muharremi, piktor: Ai është një artist i madh. Nëse s’do ishte një Kryeministër i madh siç është sot, do ishte një artist i madh dhe një nga figurat qendrore dhe kryesore të artit figurativ shqiptar.

Omer Kalleshi, piktor: Është interesante dhe sepse vazhdon punën si artist megjithëse është edhe në politikë tani.

Zamir Mati, piktor: Ekspozitat në Paris janë të rralla dhe për ne që jetojm këtu janë ngjarje të rëndësishme, jo vetëm se shohim artistët e vendit tonë.

Bujar Luca, piktor: Me Edi Ramën njihem prej më shumë se 25 vitesh dhe më kujtohet në vitet ’90 kur për herë të parë në Shqipëri revista “Njohja e Artit” vinte në Shqipëri. Kjo ekspozitë u bë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe u ekspozuan vetëm riprodhime të artit francez. Etja për artin në atë periudhë ishte e jashtëzakonshme në Shqipëri.

Alain Salles, gazetar francez: Mbresat e para kur takon Edi Ramën janë që nuk është një drejtues tipik. Është më trupmadh se mesatarja e shumë prej krerëve të shtetit. Por ajo që godet është përzierja e politikanit me artistin. Kur mbërritëm patëm një takim me Ramën në sallën e bukur të hartave në selinë qendrore të qeverisë, e cila është rimodeluar pasi mbërriti ai aty dhe papritur ndjen që ai ka dëshirë për të ndryshuar gjërat për të përzier artin me politikën. S’e di nëse është e lehtë, por e admiroj për këtë. Vizatimet janë mbi dokumente zyrtare që kanë arritur të ndryshojnë, të zbukurojnë…është bërë dicka. Nuk mendoj se Shqipëria njihet për riciklime ekologjike, por Kryeministri bën riciklime mirë me letrat.

Sofia Zaja, galeriste: Përshtypja e parë është që ishte një surprizë e këndshme. Unë kthehem shpesh në Paris në ekspozitat para çeljes, përshtypja është e papritura e një niveli të lartë artistik e të dy artistëve, edhe pse e njoh punën e Bujarit pasi ia kam parë serinë e vizatimeve që është shumë më e madhe se ajo që shihet këtu. Kam shumë admirim për pjesën e tij të punës dhe pikërisht në këtë seri ku edhe pse ka shumë vizatime secili prej tyre është ndryshe, mund t’i shohësh dhe rishohësh, mund të admirosh punën e bërë. Vizatimet e Edi Ramës janë një e papritur e dytë, diçka që e kam zbuluar këtë mbrëmje. Sinqersiht më duket punë për t’u admiruar. Më duken vizatime të guximshme dhe me risi. Më pëlqejnë shumë.

Michel Berson, senator francez: E kam takuar Edi Ramën në Tiranë, por e kam takuar edhe në Paris. Kam takuar politikanin, kryeministrin, kreun e Partisë Socialiste, por nuk e njihja artistin. Isha shumë kureshtar të zbuloja artin dhe veprat e tij, penelin e tij dhe më duhet të them që më pëlqeu. M’u dukën vizatime shumë personale dhe shumë origjinale, piktura të vizatuara mbi dokumente origjinale, letra, raporte, dorëshkrime. Më duket shumë e fortë. Është një ekspozitë e bukur e artit dhe kulturës shqiptare. Flas për Edi Ramën por nuk harroj artistin tjetër, Bujar Luca. Një gjini krejtësisht tjetër, me një pikturë shumë të fortë, shumë shprehëse që më pëlqeu njësoj. Është krejt ndryshe, por po njësoj. Shumë e arrirë. Kjo ekspozitë nderon Shqipërinë dhe lejon bashkimin e dy botëve, botën shqiptare dhe atë franceze, prandaj më pëlqeu shumë kjo ekspozitë.

Bujar Luca: Ajo që ka rëndësi dhe na lidh në këtë ekspozitë janë disa pamje dhe tema që ndajmë dhe mbi të gjithë konceptimi që kemi për veprën e artit. Ne nuk kërkojmë një riprodhim të natyrës, por e rishiohim atë dhe i japim në thelb atë që ndjejmë në thellësi. Edi ndizet në pikturë nga dicka që e frymëzon atë sic janë letrat që ai përdor në cdo cast të takimeve të shumta që ka dhe nëpërmjet artit bën një dalje nga realiteti, jo për t’i shpëtuar, por për ta rindërtuar sic e ëndërron ai dhe mund të themi me të drejtë që ai bën udhëtime nëpërmjet pikturës së tij dhe këto udhëtime na fton që t’i bëjmë bashkë me të.

“E vetmja gjë që di është se janë pjesë e kohës sime të punës. Është si të punosh. Është diçka brenda meje që po përpiqet t’i shpëtojë kuadrit të punës” Edi Rama.           

Top Channel