Qeveria “Tsipras”, ja disa nga emrat e përfolur si ministra të rinj

27/01/2015 00:00

Qeveria e re e Greqisë do të deklarohet gjatë ditës së sotme nga Kryeministri i ri, Tsipras dhe më pas do të zhvillohet ceremonia e betimit. Megjithëse ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, duket se disa prej ministrave të rinj tashmë janë përcaktuar.

Korrespondenti i Top Channel në Selanik, Aleksandër Marku ka njoftuar se pas negociatave, duket se është rënë dakord që partnerëve qeveritarë, pikërisht Grekëve të Pavarur t’u jepet Ministria e Mbrojtjes, të cilën do ta drejtojë lideri i tyre, Panos Kammenos. Kabineti qeveritarë do të ketë 10 ministri.

Giannis Dragasakis, një anëtar historik i së Majtës Radikale thuhet se do të jetë zëvendëskryeministër që do të vëzhgojë edhe çështjet ekonomike.

Ministrinë e Ekonomisë do ta drejtojë Janis Varufakis, një prej specialistëve më në zë të kësaj fushe, i cili do të ketë rol vendimtar në negociatat me huadhënësit.

Korrespondenti i Top Channel është shprehur se parashikohet të ketë 4 ministri të mëdha.

– Ministria e Zhvillimit do të përfshijë Turizmin dhe Ekonominë, me ministër Giorgos Stathakis.

– Ministria e Brendshme do të përmbledh Ministrinë e Rendit e Reformës Administrative dhe e Shërbimit Civil dhe Ministria e re e Emigracionit, me ministër krahun e djathtë të Alexis Tsipras, Panos Skourletis.

– Ministria e Rindërtimit Produktiv dhe e Mjedisit, ku flitet se do të përfshihen Mjedisi, Energjia, Zhvillimi, Industria e Zhvillimit dhe Konkurrenca.

– Ministria e Kulturës do të përfshijë Arsimin, Cështjet Fetare, Kulturën, Sportin dhe Edukimin

Gjithashtu do të ketë edhe Ministri të Shëndetësisë , Siguri Sociale dhe një Ministri të Punës dhe Solidaritetit Social.

Për postin e ministrit të Jashtëm është duke u folur për profesorin e njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare, bashkëpunëtorin e George Papandreout, Nikos Kocias. Sigurisht që do të jetë edhe Ministria e Drejtësisë, ku priten reforma të mëdha, si dhe Ministria e Shtetit.

Ndërkohë, gjatë ditës së hënë, Kryeministri i ri i Greqisë, Aleksis Tsipras është betuar para Presidentit Karolos Papulias.

Betimi për herë të parë ka qenë politik dhe jo sipas traditës me dorën mbi ungjill, pa praninë e kryepeshkopit të Greqisë.

Top Channel