Nju Jork, arrestohet spiuni rus. Mblidhte info mbi sanksionet

27/01/2015 00:00

FBI-ja në Nju Jork ka arrestuar një person të dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, përmes rekrutimit të aseteve në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Prokurorët amerikanë deklarojnë se 39-vjeçari Evgeny Buryakov ishte pjesë e një zinxhiri spiunazhi ku bënin pjesë edhe dy persona të tjerë të përfshirë në bizneset zyrtare të Shteteve të Bashkuara.

Këta të fundit, të identifikuar si Igor Sporyshev dhe Victor Podobny, nuk ndodhen më në Shtetet e Bashkuara.

Buryakov, që punonte në një bankë ruse në Manhatan, akuzohet për tentativë mbledhjeje informacionesh mbi sanksionet e qeverisë amerikane ndaj bankave ruse dhe mbi projektet e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar burime alternative energjie.

Buryakov dyshohet gjithashtu se ka rekrutuar shtetas amerikanë për të spiunuar për Rusinë, përfshirë këtu persona të punësuar në kompanitë e mëdha, si dhe gra të reja me lidhje në një universitet të madh të Nju Jorkut.

Ndërsa Sporyshev dhe Podobny, që mbanin pozicione zyrtare si përfaqësues të qeverisë ruse në Shtetet e Bashkuara, u akuzuan se kanë bashkëpunuar me Buryakov që prej vitit 2012, duke i kaluar atij informacione dhe duke gjetur rekrutë të rinj.

Hetimi ishte vazhdimi i një operacioni të kryer në vitin 2010 që përfundoi me arrestimin e 10 agjentëve sekretë rusë, të cilët u shkëmbyen me disa agjentë amerikanë që punonin në Rusi.

Në një deklaratë prokurori i përgjithshëm, Eric Holder deklaroi se, “akuzat tregojnë angazhimin tonë serioz për të luftuar përpjekjet e agjentëve sekretë të mbledhin informacione në rrugë të paligjshme dhe të rekrutojnë spiunë në Shtetet e Bashkuara”.

Top Channel