Fidel Castro aprovon në heshtje qasjen e re SHBA-Kubë

27/01/2015 00:00

Ish-lideri kubanez Fidel Castro duket se ka aprovuar në heshtje vendimin e fundit të Kubës dhe Shteteve të Bashkuara për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

“Unë nuk i besoj politikës së SHBA dhe as kam shkëmbyer një fjalë me ta, por kjo nuk do të thotë se refuzoj zgjidhjen paqësore të konflikteve”, thotë ai në një letër.

Këto janë komentet e para të tij që nga lëvizja historike e ndërmarrë në dhjetor nga dy vendet, pas dekadash të tëra armiqësi. Ndërkohë që javën e kaluar nisën edhe bisedimet e nivelit të lartë.

“Ne do të mbrojmë gjithmonë bashkëpunimin dhe miqësinë me të gjithë njerëzit në botë, përfshirë këtu kundërshtarët tanë politikë”, thuhet në letrën e publikuar nga gazeta shtetërore “Granma”.

Në këtë mënyrë 88-vjeçari duket se mbështet vendimet e marra nga vëllai i tij më i ri Raul, që është dhe presidenti aktual i Kubës që prej vitit 2008, kur mori drejtimin e vendit.

“Presidenti i Kubës ka ndërmarrë hapat e duhur në përputhje me prerogativën e tij dhe kompetencat që i jep Asambleja Kombëtare e Partisë Komuniste të Kubës”, thuhet më tej në letër.

Fidel Castro e ka kaluar gjithë jetën e tij në konflikt me Shtetet e Bashkuara dhe ky reagim i tij tani që armiqësitë duket se kanë mbaruar kanë habitur paksa njerëzit, thotë korrespondenti i BBC.

Sipas tij, shumë njerëz në Kubë besojnë se përpjekjet e fundit për të shkrirë marrëdhëniet e ngrira me Amerikën nuk do të kishin marrë jetë pa aprovimin e Fidel.

Top Channel