Argjentinë, Kirchner shkrin shërbimet sekrete

27/01/2015 00:00

Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner ka njoftuar planet e saj për të shkrirë agjencinë e inteligjencës së vendit të saj.

Në një fjalim televiziv ajo tha se do të hartojë një projektligj për të ngritur një strukturë të re shërbimesh sekrete.

Kirchner tha se shërbimet argjentinase të inteligjencës kanë mbajtur thuajse të njëjtën strukturë që kanë pasur në kohën e regjimit ushtarak, që mori fund në vitin 1983.

Lëvizja e presidentes vjen pas vdekjes misterioze të prokurorit Alberto Nisman, pak orë para se ai të dëshmonte kundër zyrtarëve të vjetër argjentinas.

Prokurori po hetonte shpërthimin e ndodhur në lagjen hebraike të Buenos Airesit në vitin 1994, që u mori jetën 85 personave.

Nisman, 51 vjeç, kishte akuzuar figura të hershme qeveritare, përfshirë presidenten dhe ministrin e Jashtëm Hector Timerman, për përfshirje në një komplot për të mbuluar përfshirjen e Iranit në atentatin në fjalë.

“Kam përgatitur një projektligj për të reformuar shërbimin e inteligjencës”, deklaroi Kirchner, duke shtuar se dëshiron që propozimi i saj të diskutohet në një sesion urgjent të Kongresit.

“Plani është të shkrijmë Sekretariatin e Inteligjencës dhe të krijojmë një Agjenci Federale të Inteligjencës”, tha ajo, për të shtuar se lidershipi i agjencisë së re duhet të zgjidhet nga presidenti dhe të aprovohet nga Senati.

Prokurori Nisman u gjet i vdekur më 18 janar në apartamentin e tij në Buenos Aires, ku u gjet edhe arma e krimit. Hetuesit deklaruan fillimisht se bëhej fjalë për një vetëvrasje, por më vonë thanë se nuk e përjashtonin mundësinë e vrasjes apo të vetëvrasjes së imponuar.

Top Channel